Rraklli: Me Francën të japim më të mirën - FSHF

Rraklli: Me Francën të japim më të mirën

Përpara ndeshjes me Francën, e cila do të zhvillohet në 27 nëntor, në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, trajneri i kombëtares shqiptare të femrave Altin Rraklli, ka dalë në një konferencë për shtyp, në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ai është shoqëruar edhe nga kapitenia e ekipit kombëtar, Aurora Seranaj.

“Sigurisht që Franca është një kundërshtar i vështirë dhe kanë objektiva të tjera në raport me ne. Por skuadra jonë, do të përpiqet që të japë më të mirën dhe kjo ndeshje është motivuese për ne. Natyrisht që kemi përpara një kundërshtar të fortë, i cili ka një nivel të lartë por ne do të përpiqemi që të ulim sa më shumë ritmin e tyre dhe pse jo, edhe ti godasim”-deklaroi trajneri I kombëtares Altin Rraklli, i cili më pas u shpreh se kishte informacione të bollshme për kundërshtarin. “Kam parë tre ndeshje të tyre në Botërorin e vjetshëm dhe them se janë një skuadër shumë e fortë. Tre katër futbolliste i kanë të një klasi shumë të lartë. Megjithatë ne do të bëjmë lojën tonë dhe nuk na shqetëson shumë kjo gjë”.

Më pas ai ju përgjigj edhe në lidhje me informacionet e përhapura në media për frikën e ndonjë akti terrorist në këtë ndeshje. “Unë jam fokusuar tek ndeshja dhe këto nuk janë pyetje që i takojnë një tekniku” –përfundoi ai.