Rikthehet kampionati i femrave, Tirana triumfon në derbin ndaj Partizanit - FSHF

Rikthehet kampionati i femrave, Tirana triumfon në derbin ndaj Partizanit

Kampionati kombëtar i femrave është rikthyer në aktivitet këtë fundjavë pas ndëprerjes një javore ku u zhvilluan dy ndeshjet e Kombëtares ndaj Qipros dhe Portugalisë. Ditën e shtunë janë luajtur katër ndeshjet e para të javës së 4-të, ku spikati Derbi i Kryqytetit me Tiranën dhe Partizanin që kanë luajtur sot përballjen e parë në histori në futbollin e femrave.

Derbi u zhvillua në stadiumin “Selman Stermasi” dhe u fitua nga Tirana me rezultatin 4 me 1. Vajzat bardheblu ishin dominuese në fillimin e ndeshjes dhe arritën të kalojnë në avantazh në minutën e 9-të me Vishkullin, e cila në të 29-tën ka arritur të dyfishojë. Partizani përpiqet të reagojë dhe ngushton diferencën me Sara Begallon në minutën e 40-të. Me rezultatin 2-1 skuadrat shkojnë në dhomat e ndeshjes. Fraksioni i dytë i lojës ka nisur ashtu si edhe e para me Tiranën që ka iniciativën dhe vajzat bardheblu shënojnë dy gola në minutat 53 dhe 54, me Vishkullin që bën tripletë dhe Kejsi Goron që vulos rezultatin në 4 me 1. Deri në fund vajzat e Partizanin provojnë të shënojnë por nuk ndryshon asgjë.

Tirana AS dhe Juban Danja u përballën në Qendrën Sportive Kamëz me skuadrën veriore që triumfoi 2-0 falë golave të Rosela Vasës në minutën e 52 dhe penalltisë së Paula Jakut në të 63-tën.

Në Durrës u luajt Teuta me Skëndërbeun, ndeshje që përfundoi me fitoren e vajzave korçare me rezultatin 2-1. Pas një pjese të parë të barabartë me durrsaket që treguan një epërsi të lehtë, në pjesën e dytë Skëndërbeu gjeti golin e avantazhit në minutën e 67-të me Repan. Teuta reagon dhe arrin të barazojë në minutën e 80-të me Malaj. Korçaret nuk dorëzohen dhe 2 minuta nga fundi gjejnë golin e fitores me Repan që vulosi dhe dygolëshin personal.

Në Shkodër AAS kishte përballë Lushnjën debutuese. Një ndeshje shumë e luftuar e cila në fundin e saj pa triumfuese AAS me rezultatin 2-0 falë golavë të Rakajt në minutat 69 dhe 90.

Java e katërt e kampionatit kombëtar të femrave mbyllet nesër me klasiken Vllaznia-Apolonia që zhvillohet në “Loro Boriçi” dhe përballjen ndërmjet Bilisht Sport dhe Kinostudios.