Reagim zyrtar i FSHF - FSHF

Reagim zyrtar i FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit kërkon të informojë mediat dhe opinionin futbolldashës, në lidhje me deklaratat krejtësisht të pabaza, të futbollistit Liridon Leci, publikuar në një uebsite suedez fotbollskanale.se. Këto deklarata jane botuar edhe në mediat sportive shqiptare sot.

E indinjuar ndaj deklaratave të tilla, të gënjeshtërta, të pabaza dhe fyese për institucionin tonë dhe për Presidentin Armand Duka, FSHF reagon si vijon:

Komentet e bëra prej futbollistit Leci në një uebsite suedez, janë trillime dhe aluçinacione dashakeqëse.

Ato kanë për qëllim, të hedhin baltë mbi institucionin tonë, mbi Presidentin dhe emrin e futbollit shqiptar.

Liridon Leci nuk ka patur asnjëherë kontakte me zyrtarë të FSHF-së, dhe për më tepër me Presidentin Armand Duka, sikundër ai pretendon.

FSHF, e ka shprehur gjithmonë qëndrimin e saj, për të mbrojtur lojën e ndershme e rezultatin real dhe është në luftë të hapur ndaj fenomeneve të tilla.

Në lidhje me këto deklarata, krejtësisht produkt i një fantazie të shfrenuar dhe dashakeqe, Federata, vuri në dijeni Federatën e Futbollit të Kosovës, për shkak se futbollisti në fjalë, luan në Ligën Kosovare.

Nga ana tjetër, Federata i kërkoi menjëherë juristëve të saj, që të mbledhin provat dhe materialin e nevojshëm ligjor për këtë rast.

Njëkohësisht Federata do të ndërmarrë të gjitha hapat për të vënë përpara drejtësisë për shpifje, personin në fjalë ose personat që kanë lidhje me këto shpifje.

Gjithashtu, ajo i bën thirrje mediave që të na mbështesin e të na ndihmojnë, në luftën ndaj fenomenit negativ të trukimeve.

U kërkojmë të gjitha mediave të jenë korrektë dhe të mos abuzojnë duke publikuar akuza krejtësisht të gënjeshtërta të individëve, në çfarëdo media të huaj.

 


Duke kontrolluar karten...