Reagim i FSHF - FSHF

Reagim i FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit, në lidhje me deklaratat e publikuara në disa rrjete sociale, të futbollistit Mërgim Brahimi, ka këtë reagim:
Prej shumë kohësh Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon, vëzhgon dhe seleksionon talentet shqiptare që luajnë futboll në Europë, me qëllim afrimin e tyre në skuadrat tona kombëtare. Kjo metodë pune, ka vite që realizohet dhe në këto grupe pune marrin pjesë, specialistët më të mirë të saj dhe trajnerët e ekipeve kombëtare. Institucioni i futbollit shqiptar, i ka krijuar kushte maksimale kujtdo që ka pranuar të luajë për fanellën kuqezi, si në nivele moshash ashtu edhe në nivelin më të lartë që është ekipi kombëtar. Këtë përkujdesje, institucioni i futbollit e ka treguar në dhjetra raste. Sigurisht, është zgjedhje personale e futbollistëve, nëse dëshirojnë të luajnë për Shqipërinë apo për ndonjë vend tjetër. Ky është vendimi i tyre i respektuar nga ne, sepse kjo ka lidhje me interesat e vetë personit. Edhe në rastin e Mërgim Brahimit, FSHF si institucion, ka respektuar vendimin e futbollistit e i uron atij, suksese në karrierën futbollistike, si në klub ashtu edhe në kombëtaren që ka zgjedhur. Ky urim vlen për të gjithë ata lojtarë, që kanë bërë zgjedhje ndryshe. Ky është qëndrimi ynë parimor, njerëzor dhe profesional, në cdo rast.
Por kurrsesi, Federata Shqiptare e Futbollit, nuk do të lejojë që të cënohet dinjiteti dhe personaliteti i njerëzve që kontribojnë në maksimum për futbollin shqiptar, i specialistëve të përkushtuar dhe i vetë institucionit të futbollit. Ne vlerësojmë punën dhe kontributin e Redi Jupit, si ish-lojtar i ekipit kombëtar, si drejtues i Sektorit të Ekipeve Kombëtare dhe si trajner i Ekipit U-21. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tij dhe i të gjithë specialistëve të tjerë të FSHF-se, i trajnerëve dhe stafeve të ekipeve kombëtare, ka bërë që niveli i këtij sporti të rritet dhe ai të shndërrohet në simbol për të gjithë shqiptarët. Rezultatet e futbollit tonë dhe sukseset e tij vitet e fundit, janë qartësisht të suksesshme dhe ato bëjnë të lumtur cdo shqiptar, kudo ndodhet.
Pavarësisht faktit, se këto deklarata janë të vërteta, keqkuptime apo sajesa mediatike, ne dëshironim me këtë rast të informonim publikun, për trajtimin me shumë kujdes që i bëhet nga ana e institucionit tonë, të cdo talenti shqiptar.