Stadiumi “Elbasan Arena” është vizituar paraditen e të premtes nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka dhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini. Tre perfaqësuesit më të lartë të institucioneve të tyre, kanë parë nga afër punimet e përfunduara të stadiumit, duke vlerësuar cilësinë e tyre. Presidenti Armand Duka, e ka njohur Kryeministrin me të gjitha ambientet e stadiumit duke u ndalur edhe në detaje të ndryshme të zbatimit të projektit.
Kryeministri Edi Rama, është shprehur i kënaqur me ecurinë e punimeve në stadium dhe cilësinë e tyre. “Sfida e rradhës, do të jetë ndërtimi i pistës me tartan, për zhvillimin e garave të atletikës, jo vetëm për kampionatin kombëtar por edhe për aktivitete ndërkombëtare”-ka deklaruar përpara mediave Kryeministri.
“Fillimisht, patëm druajtjen se punimet mund të mos përfundonin në kohë, për shkak të vështirësive të ndryshme dhe mungesës së eksperiencës. Por rrugës përmirësuam mjaft gjëra. Tashmë gjithçka është gati . Sidoqoftë “Elbasan Arena”, nuk do të jetë stadiumi më i madh në Shqipëri. Objektivi ynë primar, është ndërtimi i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, për të cilin vazhdon proçesi përgatitor”-ka thënë Presidenti i FSHF Armand Duka, pas inspektimit të stadiumit në Elbasan.

















