Qazim Laçi shpallet kampion me skuadrën e Sparta Pragës në Çeki, Presidenti Duka & trajneri Silvinjo urojnë mesfushorin kuqezi - FSHF

Qazim Laçi shpallet kampion me skuadrën e Sparta Pragës në Çeki, Presidenti Duka & trajneri Silvinjo urojnë mesfushorin kuqezi

Një tjetër lojtar i Kombëtares shqiptare ka arritur të korrë sukses përgjatë këtij sezoni futbollistik. Bëhet fjalë për mesfushorin Qazim Laçi, i cili luan në kampionatin çek në radhët e ekipit të Sparta Pragës. Djaloshi kuqezi është shpallur kampion me skuadrën e Sparta Pragës për edicionin futbollistik 2022-2023.

Një sukses i jashtëzakonshëm ky, jo vetëm për Qazim Laçin si individ dhe Spartën e Pragës, por edhe për Kombëtaren shqiptare të futbollit që ka në gjirin e saj emra lojtarësh të talentuar që mundohen ta çojnë sa më lart flamurin shqiptar.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, së bashku me trajnerin e Kombëtares, Silvinjo dhe stafin kuqezi urojnë mesfushorin e Shqipërisë, Qazim Laçin për këtë sukses të rëndësishëm në karrierën e tij, ndërsa e mirëpresin edhe për dy takimet e ardhshme të Kombëtares ndaj Moldavisë e Ishujve Faroe.