PROMOCIONI I LOJËS, NISMA E FSHF ZBRET TE SHKOLLA “FAN NOLI” - FSHF

PROMOCIONI I LOJËS, NISMA E FSHF ZBRET TE SHKOLLA “FAN NOLI”

Futbolli do të mbetet një pasion i pashmangshëm për fëmijët, të cilët rrëmbejnë kohën e tyre të përditshme në dispozicion, për të luajtur dhe të qenë pjesë e një skuadre futbolli. Dhe pikërisht kjo është shumë e ndjeshme për shkollat 9-vjeçare dhe jo vetëm ato, nxënësit e të cilëve vrapojnë pas endërrës së tyre për tu bërë dikushi në fushat e futbollit. Pas shkollës “Emin Duraku”, FSHF vijoi këtë javë me promocionin e lojës në ambjentet e Shkollës “Fan Noli” në kryeqytet. Me ambjentet e shkëlqyera të kësaj shkolle, miq të skuadrës së “Fan Nolit” ishin këtë radhë fëmijët e shkollës “Osman Myderizi”. Një ambjent që sa herë përkon me një prag-ndeshje futbolli gjithmonë mbledh pas fushës së futbollit jo pak fëmijë. Përpara fëmijëve këtë radhë përcollën mesazhet e tyre ish-futbollistët e skuadrës kombëtare të futbollit, Alban Bushi dhe Ervin Bulku, që të dy respektivisht në stafet e ekipit kombëtar A dhe Bushi, trajner i skuadrës përfaqësuese U-21. Ata kërkuan te fëmijët më shumë angazhim e dashuri për futbollin, teksa i bënë me dije edhe kontrollin, strategjinë dhe kujdesin e FSHF-së në lidhje me futbollin e moshave në Shqipëri. Puna me fëmijët, sipas tyre është një pasion më vete, por edhe një përgjegjësi të cilën FSHF e ndjek gjithmonë nëpërmjet programeve të trainimit e licensimit për trainerët e moshave. Më pas vetë Bulku e Bushi ndanë edhe suvenirët-aksesorë, simbole të ekipit kombëtar për secilën skuadër e për secilin nxënës. Pas mesazheve ishte koha për futboll, ku dëshira për të fituar ishte e jashtëzakonshme. Kjo nismë e FSHF-së për promocionin e futbollit në shkolla do të vazhdojë ditën e hënë në një tjetër ambjent nxënësish të një tjetër shkolle 9-vjeçare në vijimësi të një programi të plotë.