Presidenti Duka viziton kompleksin “Football Republic”: Në futboll duhet të bashkojmë paratë me pasionin - FSHF

Presidenti Duka viziton kompleksin “Football Republic”: Në futboll duhet të bashkojmë paratë me pasionin

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka vizituar sot ambientet e kompleksit sportiv “Football Republic” në Tiranë, një investim i ish-futbollistit të kombëtares shqiptare, Redi Jupi.

Kreu i qeverisë së futbollit u njoh me investimin e bërë në këtë kompleks dhe theksoi rëndësinë e ndërtimit të sa më shumë fushave të reja që do t’i shërbenin zhvillimit të futbollit. Në një prononcim për mediat gjatë kësaj vizite, Presidenti Duka tha se futbolli i fëmijëve dhe i femrave, është prioriteti që duhet të ketë dhe ka Federata e Futbollit dhe se projekti i “100 fushave” është një investim që mund t’i vlejë shumë brezave të ardhshëm.

“Është bukur të flasësh për këtë investim shumë të bukur që ka bërë Redi Jupi dhe e gjithë familja e tij këtu. Unë jam shumë i sigurt që Redi e ka bërë më shumë nga pasioni se sa nga sensi i biznesit. Se po të ishte për sens biznesi, që unë besoj e kam më shumë se Redi, nuk do të kisha bërë këtë lloj investimi këtu, sepse fushat e tjera mund të ishin shumë më me shumë interes. Por gjithsesi duke qenë i lidhur me futbollin dhe ne duhet ta falënderojmë dhe duhet të kemi sa më shumë si Redi. Jo rastësisht, thjesht për të bërë një vizitë dhe për të takuar Redin, kam ardhur në Petrelë, në këtë kompleks, por për të thënë që ky është prioriteti që duhet të ketë dhe ka Federata e Futbollit. Futbolli i fëmijëve dhe i femrave, në 2020 dhe në vazhdim, jo vetëm me fjalë, por me projekte, me investime. Dhe në projektin që ne kemi shpallur për ‘100 fushat’ ne kemi thënë që nuk ka rëndësi se kush është aplikanti, person privat, mjafton që të bëjë fusha futbolli. Edhe këto që kanë investuar, institucioni i futbollit dhe qeveria duhet t’i ndihmojë me investime. Mjafton që na mbajnë fëmijët dhe jo vetëm që na i përgatisin për të qenë profesionistë, por na i përgatisin për të pasur një jetë të shëndetshme dhe për t’i larguar nga rruga dhe veset e këqija, – u shpreh Presidenti Duka. – Kemi shumë pak komplekse të tilla, iniciativa të tilla. I numërojmë me gishtat e dorës në Shqipëri, por duhet të jemi të kënaqur që të paktën kemi filluar. Në Tiranë me 2-3 të tillë, kemi filluar dhe në qytetet e tjera, në Lezhë është një kompleks tjetër, në Shkodër, në Fushë–Krujë. Ne duhet t’i mbështesim sa më shumë dhe të bashkëpunojmë sa më shumë për t’i çuar përpara. Ne duhet të bashkojmë paratë me pasionin. Dhe pikërisht kjo është ajo lufta që mund t’ju çojë të pyetja që mund të bënit, për këtë po luftohet që dhe nëpërmjet ndryshimit të legjislacionit të sigurojmë ca para për të mbështetur pasionin. Që pasioni të mos bëhet një gropë për familjen, pasioni i Redit apo i Refikut apo i dikujt tjetër të mos bëhet gropë për familjen dhe për shoqërinë, por të mbështetet financiarisht nga një bazë ligjore dhe nga e gjithë shoqëria se në fund të fundit është për të mirën e shoqërisë”, – theksoi kreu i qeverisë së futbollit.

I pyetur mbi bojkotin e kampionatit në vend, Presidenti Duka theksoi se ai shpreson që loja të rifillojë sa më shpejt, por kjo është në dorën e presidentëve të Ligës. Presidenti Duka u shpreh se në një diskutim me Kryeministrin ka marrë premtimin se do të merren në konsideratë propozimet e bëra nga Liga Profesioniste.

“Futbolli duhet të luhet dhe është i dëmshëm ndërprerja e tij, jo vetëm për ne, që duam ta shohim apo duam ta organizojmë apo spektatorët, por është shumë i dëmshëm edhe për vetë futbollistët. Unë jam i mendimit që një orë e më parë duhet të luajmë, madje nuk duhet të ishim ndërprerë por duhet të kishim arritur konsensus pa bërë ndërprerje dhe pa arritur në radikalizma. Uroj që kjo të ndodhë të paktën, meqë nuk ka ndodhur deri tani, me ndonjë ndryshim apo me ndonjë premtim të ndryshimit legjislativ. Në një tavolinë të fundit që ka pasur Liga Profesioniste me Ministrinë e Financave, i është premtuar që të dy propozimet do të shkojnë në qeveri dhe qeveria do të miratojë njërin nga ato. Që do të thotë, propozimin që kemi bërë ne dhe propozimin aktual që është Ligji i Sponsorizimeve. Sot unë kam pasur një takim me kryeministrin dhe më ka premtuar që do të marrë në konsideratë propozimin tonë. Personalisht do të doja që futbolli të mos ishte ndërprerë dhe të mos ketë ndërprerje. Varet tani nëse presidentët e Ligës që e kanë bojkotuar do të binden me kaq apo do të kemi një zhvillim tjetër në bashkëpunim me kryeministrin që në fund të fundit të fitojë futbolli”, – shtoi Presidenti Duka.

Më tej, kreu i qeverisë së futbollit u shpreh se nëse Ministria e Financave nuk do ta pranojë propozimin për ligjin e ri të sponsorizimit, kjo nuk do të pranohet duke ritheksuar edhe njëherë faktin se ligji aktual është inekzistent, ndërsa ligji i propozuar nga Liga është një ligj i prekshëm dhe që prodhon.

“Nuk është çështje numrash. Unë mendoj që aq sa prodhon ai ligj sponsorizimi që kemi propozuar ne, që mund të mos i thuash sponsorizim por një fond për sportin është pak. Sporti ka nevojë për akoma më shumë. Absolutisht jo. Ligji aktual e kemi thënë nuk prodhon. Nuk mund ta marrim në konsideratë. Nëse do t’i marrim idealisht të dy ligjet, idealisht, teorikisht prodhojnë të njëjtën shifër. Por ky që propozojmë ne është i prekshëm dhe është real, prodhon realisht. Ai që është në fuqi është inekzistent por për demagogji mund ta argumentosh sepse prodhon të njëjtën shifër, por në fakt është zero. Kush nuk është i lumtur kur fiton futbolli. Fiton futbolli, fiton shoqëria, të gjithë mund të jemi të lumtur”, – tha ndër të tjera Presidenti i FSHF-së.