Të nderuar futbollistë, trajnerë, drejtues klubesh dhe stafe organizatore!
Të nderuar gjyqtarë, delegatë dhe vëzhgues!
Të nderuar tifozë!
Të nderuar përfaqësues të medias!
Sot nis edicioni i ri futbollistik, me ndeshjet e Kategorisë Superiore. Është edicioni i 78 i këtij kampionati. Që nga starti i tij i parë në vitin 1930, kampionati i futbollit është bërë gjithnjë e më i dashur dhe I ndjekur në të gjithë qytetet e Shqipërisë. Starti i këtij kampionati, i cili vitet e fundit jo vetëm ka qenë më i bukur por edhe më cilësor, është një ngjarje e rëndësishme për komunitetin e futbollit shqiptar. Prej javësh, futbollistët, stafet teknike, trajnerët, menaxherët dhe drejtuesit e klubeve, po punojnë për të përgatitur sa më mire, këtë fillim të ri. Të gjitha përpjekjet e tyre gjatë kësaj periudhe, kanë patur vetëm një qëllim: Paraqitjen sa më të mirë të skuadrave. Me dëshirën për të ngjitur sa më lart, dhe për të realizuar synimet e tyre. Sot nis një rrugë e gjatë dhe e lodhshme, për arritjen e objektivave që klubet i kanë vënë vetes. Por në fakt, është edhe një rrugë e bukur, mbushur me emocione, me ngjarje të paharrueshme të cilat më pas do të regjistrohen në librin e historisë. Dhe çdo klub nis të shkruajë faqen e 78 të historisë së tij prej sot e deri në muajin maj, kur secili do të marrë atë rezultat, që ka merituar në fushën e lojës.
Të dashur miq. Fillimi i edicionit të ri futbollistik, përkon edhe me një ngjarje të rëndësishme për futbollin shqiptar. Jo më larg se dje, skuadra jonë kombëtare arriti një fitore shumë të rëndësishme, kundër Maqedonisë, në stadiumin e ri “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Kjo fitore, në startin e eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”, ka krijuar shumë entuziasëm në gjirin e tifozëve dhe ka rritur më tepër besimin në skuadër. E gjithë kjo atmosferë pozitive, shpresoj që të transmetohet edhe në fillimin e edicionit të ri futbollistik.
Unë do të uroja që ky kampionat të jetë sa më i bukur dhe me rivalitet. Shpresoj shumë ,që ai të dhurojë spektakël dhe emocione, të cilat do ta ndezin garën dhe do të kënaqin tifozët në shkallët e stadiumeve. Fryma e Fair Play, duhet të mbizotërojë në të gjitha ndeshjet. Mbi të gjitha, do të uroja që ky kampionat të jetë sa më cilësor nga pikëpamja teknike. Rritja e nivelit të lojës, afirmimi i elementëve të talentuar, janë një garanci që futbolli po ecën në rrugën e duhur.
Udhë të mbarë edicionit të ri futbollistik. Suksese të gjithëve në realizimin e objektivave, që i keni vënë vetes.
Armand DUKA
President i FSHF

















