Presidenti Duka uron 85 vjetorin e Erzenit - FSHF

Presidenti Duka uron 85 vjetorin e Erzenit

Me rastin e përvjetorit të 85 të krijimit të klubit të futbollit Erzeni, kam kënaqësinë dhe privilegjin që t’ju uroj, në emër të Federatës së Futbollit. Ky përvjetor jubile për skuadrën e qytetit të Shijakut, është një moment i veçantë, për të revokuar vlerat e futbollit dhe figurat historike të tij. Një moment për të vlerësuar kontributin që ky qytet, me shumë dashuri për futbollin, ka dhënë gjatë kësaj periudhe.

Urimit si President i FSHF, dëshiroj që ti bashkëngjis edhe urimin tim personal. Sepse me këtë skuadër, me këtë qytet, mua më lidhin shumë gjëra. Së pari, im atë ka kontribuar si futbollist e si trajner me skuadrën e Erzenit dhe mbeti deri në fund të jetës së tij, mbështetës i saj. Unë vetë, jam lindur dhe edukuar në këtë qytet. Aty kam kuptuar se çfarë është futbolli, duke ndjerë emocionet e para që të jep kjo lojë e mrekullueshme. E kam ndjekur Erzenin e asaj kohe në të gjitha ndjeshjet brenda dhe jashtë, duke marrë shumë satisfaksion dhe kënaqësi nga kjo skuadër.

Sot në këtë përvjetor të veçantë për klubin e Erzenit, unë dëshiroj edhe njëherë që ti falenderoj të gjithë ata, që kontribuan për këtë skuadër ndër vite. Ata njerëz, të cilët e bënë futbollin aq të dashur dhe popullor në qytetin e Shijakut.

Edhe njëherë suksese dhe gëzuar këtë festë të bukur! Gëzuar 85 vjetorin e krijimit të Klubit të Futbollit Erzeni! Suksese dhe mbarësi!

Armand Duka

President i FSHF