Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, ka qenë sot i pranishëm në ambientet e Resortit “Tropikal” në Durrës, për të takuar skuadrën kombëtare U-17. Ajo gjendet atje në kuadrin e përgatitjeve për eliminatoret e Kampionatit Europian, ku do të jetë në të njëjtin grup me Uellsin, Zvicrën dhe Hollandën. Presidenti i FSHF, është njohur nga ana e trajnerit Xhemal Mustadanagic për gjendjen e skuadrës dhe formën e saj. Pastaj ai ka pyetur drejtëpërdrejtë futbollistën dhe i ka inkurajuar ata për arritjen e rezultateve pozitive. “Në tre vitet e fundit, ne e kemi kaluar dy herë fazën e grupeve, në eliminatoret e Kampionatit Europian U-17 dhe kjo është një arritje që duhet vlerësuar. Sigurisht luani në një grup të vështirë me skuadra, të cilat punojnë mjaft mirë me moshat, por kjo s’duhet t’ju dekurajojë. Përkundrazi, ju do të shkoni atje për të treguar vlerat tuaja dhe ato të futbollit shqiptar”- tha ndër të tjera Presidenti i FSHF. Më pas, ai deklaroi se lojtarët e skuadrave të moshave e kanë një model, të cilit duhet të përngjasojnë, ekipin kombëtar A. “Ata djem, duhet të jenë për ju më të rinjtë burim frymëzimi dhe shëmbulli më i lartë i përkushtimit dhe sakrificave që bën futbollisti, për ekipin kombëtar”. Trajneri Mustadanagic, ka falenderuar Presidentin për mbështetjen dhe inkurajimin. Ekipi U-17, do të zhvillojë ndeshjen e parë, kundër Uellsit, ditën e enjte.

















