Presidenti Duka shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-sportistit, Shkëlqim Troplini - FSHF

Presidenti Duka shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-sportistit, Shkëlqim Troplini

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-sportistit, Shkëlqim Troplini. Në mesazhin e publikuar në profilin e tij në Facebook, kreu i qeverisë së futbollit vlerëson kontributin dhe arritjet e Troplinit si sportist e më pas edhe si trajner.

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtuar për ndarjen nga jeta të ish-sportistit, trajnerit dhe mikut të mirë Shkëlqim Troplini. Në këtë çast të trishtuar, gjej rastin që të ngushëlloj familjen, miqtë dhe vecanërisht dy djemtë Rejnaldon dhe Euxhenjon (të dy lojtarë të Erzenit), për humbjen e njeriut të dashur. Shkëlqim Troplini ka qenë një ndër kampionët e njohur në sportin e mundjes, duke arritur në nivele të larta deri në kampion kombëtar. Më pas kontributi i tij është shtrirë edhe në fushën e trajningut në futboll, ku për një periudhë të gjatë ka qenë edhe zv/trajner i Erzenit duke u shquar për përkushtimin dhe seriozitetin e tij. Për të gjithë sa ka bërë në fushën e sportit do të mbetet i paharruar. I ndrittë shpirti në parajsë!”, – shkruan Presidenti Duka në reagimin e tij.