Presidenti Duka shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-gjyqtarit, Sazan Velçani - FSHF

Presidenti Duka shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-gjyqtarit, Sazan Velçani

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-gjyqtarit, Sazan Velçani, i cili vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Në mesazhin e publikuar në profilin e tij në Facebook, kreu i qeverisë së futbollit vlerëson kontributin e Velçanit për futbollin shqiptar dhe për komunitetin e gjyqtarëve.

“Ndihem i trishtuar për lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta të ish-gjyqtarit të FIFA-s, Sazan Velçani. Ai ka patur një karrierë të gjatë dhe ka qenë një nga gjyqtarët më të vlerësuar të futbollit shqiptar, duke dhënë kontributin e tij për shumë vite me radhë në fushën e lojës dhe për arbitrimin.
Velçani nuk ia doli dot të fitonte betejën e tij me sëmundjen e rëndë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në Itali, atje ku ndodhej i shtruar prej kohësh në spital. Dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, bashkëshortes dhe tre fëmijëve, miqve të tij, por edhe komunitetit të gjyqtarëve për këtë humbje të madhe. U prehtë në paqe!”, – shkruan Presidenti Duka në reagimin e tij.