Presidenti Duka, “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës - FSHF

Presidenti Duka, “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, është shpallur të enjten “Qytetar Nderi”, i qytetit të Gjirokastrës. Në një ceremoni të vecantë të organizuar në “Kinemanë e Re”, të qytetit kanë marrë pjesë intelektualë, figura të njohura, ish-sportistë dhe shumë personalitete të qytetit të Gjirokastrës. Kjo ceremoni e shoqëruar edhe me numra artistikë ka patur si kulm të saj, dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i qytetit të Gjirokastrës, Presidentit të FSHF Armand Duka. “Për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe kontributin e tij për zhvillimin e futbollit të këtij qyteti, ku vetëm në një hark kohor prej disa vjetësh janë investuar nga ana e FSHF rreth 600 mijë euro”-ka theksuar Kryetari Flamur Bime, i cili në emër të Këshillit Bashkiak, i ka dorëzuar Presidentit Duka titullin e lartë.
“Ndjehem shumë i nderuar dhe vlerësuar për një titull të tillë. Qyteti i Gjirokastrës, i shquar për patriotizëm, intelektualizëm, kulturë, art , sport dhe mbi të gjitha për qytetari, më ka bërë nëpërmjet këtij titulli, një respekt të jashtëzakonshëm. Shpresoj që edhe në të ardhmen të jem sa më pranë këtij qyteti, për të ndihmuar në rritjen e futbollit të tij”-theksoi Presidenti Armand Duka pas marrjes së titullit. 
Për të pranishmit u shfaqën edhe inserte për kontributin e FSHF dhe Presidentit Duka, për zhvillimin e futbollit shqiptar dhe për historinë e futbollit në Gjirokastër.


Duke kontrolluar karten...