Sot në Federatën Shqiptare të Futbollit, Presidenti Armand Duka priti në një takim pune ambasadorin e Republikës së Turqisë Hidajet Bajraktar. Gjatë takimit, ambasadori turk është njohur me disa nga arritjet e futbollit shqiptar gjatë kësaj periudhe. Ai ka vlerësuar disa nga rezultatet e fundit të ekipit kombëtar, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e mediave dhe opinionit ndërkombëtar. “Futbolli shqiptar, është bërë i njohur dhe rezultatet e tij, tashmë janë të njohura nga të gjithë” theksoi diplomati turk. Më pas, ai bisedoi me Presidentin Armand Duka në lidhje me mundësinë e organizimit të një ndeshjeje miqësore me kombëtaren turke, këtë vit ose në vitin e ardhshëm. Në fund të takimit, ambasadori turk është njohur me një pjesë të historisë së futbollit shqiptar nëpërmjet muzeumit të Federatës Shqiptare të Futbollit. “Ishte një vizitë, e cila rikonfirmon edhe njëherë, marrëdhëniet e mira që kemi me Turqinë dhe Federatën Turke të Futbollit. Ideja për zhvillimin e ndeshjes miqësore, është përkrahur nga ne dhe mund të programohet për t’u zhvilluar në datat e lira, këtë vit ose në vitin e ardhshëm” – deklaroi pas përfundimit të takimit Presidenti i FSHF Armand Duka.

















