Presidenti Duka, ngushellon ambasadorin francez - FSHF

Presidenti Duka, ngushellon ambasadorin francez

Presidentit i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka shkuar sot në Ambasadën Franceze në Tiranë, për të shprehur në emër të institucionit të futbollit, ngushëllimet për viktimat e atentateve terroriste që goditën Francën të premten në mbrëmje dhe për të konfirmuar mbështetjen për popullin francez. Ai është pritur në selinë diplomatike franceze, nga Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës Franceze, Bernard Fitoussi.

“Ky është një moment i vështirë për popullin francez, për Europën, dhe të gjithë botën e qytetëruar. Përballja e sotme mes ërrësirës dhe qytetërimit, është një sfidë për të gjithë. Ne jemi pranë popullit francez dhe konfirmojmë të gjithë mbështetjen tonë në këtë moment të vecantë. Besojmë se duke qenë të bashkuar, do t’ja dalim për të kapërcyer këtë moent të vështirë dhe për ta çuar qytetërimin përpara”.

Ambasadori Fitoussi, e falenderoi Presidentin Duka për ngushëllimet dhe për të gjithë solidaritetin që i ka dhënë komuniteti i futbollit, pas ngjarjeve të së premtes mbrëma, si pasojë e të cilave pati 140 viktima.

Presidenti Armand Duka i konfirmoi ambasadorit francez Fitoussi, se në ndeshjen e sotme Shqipëri – Gjeorgji, do të mbahet një minutë heshtje në emër të viktimave dhe krahas himnit tonë dhe atij gjeorgjian, do të këndohet edhe himni francez, në shenjë solidariteti me Francën.