Presidenti Duka në konferencë për shtyp pas finales së UECL: Krenar për këtë organizim perfekt që nderoi Shqipërinë - FSHF

Presidenti Duka në konferencë për shtyp pas finales së UECL: Krenar për këtë organizim perfekt që nderoi Shqipërinë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, doli ditën e sotme në një konferencë për shtyp në ambientet e Shtëpisë së Futollit për të folur mbi finalen e jashtëzakonshme të Conference League që u luajt mbrëmjen e djeshme në Air Albania Stadium. I shoqëruar nga një pjesë e rëndësishme e drejtuesve të proceseve organizative të finales, njëkohësisht edhe drejtues Departamentesh në FSHF, Armand Duka vlerësoi organizimin perfekt të finales dhe theksoi se kjo ishte një reklamë e jashtëzakonshme për Shqipërinë, jo vetëm në aspektin futbollistik.

Fjala e Presidentit Duka: 

Është një moment kënaqësie dhe krenarie për të gjithë ne që dalim para jush në mbyllje dhe me sukses të plotë të një aktiviteti që e bëri Tiranën kryeqytetin sportiv të Evropës për një ditë. Finalja e djeshme, është transmetuar zyrtarisht në 155 vende të botës dhe drejt “Air Albania” stadium janë drejtuar sytë mbi 400 milionë shikuesve nga e gjithë bota.

Së pari, dua të uroj fitoren ekipit të Romës për marrjen e Kupës në edicionin e parë të këtij kompeticioni. Edhe Feyenord kishte shanset e veta, por në fund, fitoi futbolli.

Askush nuk e mendonte një dekadë më parë që Shqipëria do të arrinte në këto nivele organizimi.

Por ja ku jemi, pas pjesëmarrjes së kombëtares shqiptare në Euro2016, vijmë në një tjetër stacion të rëndësishëm të historisë së futbollit shqiptar.

Kjo nuk është vetëm meritë e Federatës, por i takon gjithë komunitetit te futbollit, që e ka rreshtuar veten denjësisht krah komuniteteve te tjera sportive evropiane.

E mbaj mend si sot kur  para 5  vitesh, në 2017, bëmë aplikimin e parë për marrjen e një kompeticioni të tillë, që kur “Air Albania” ishte një projekt.

Vit pas viti punuam e lobuam pafundësisht, deri në marrjen e vendimit final të UEFA 2 vite më parë. Që nga shtatori 2021 kur në Tiranë mbërriti grupi i parë i punës së UEFA, çdo ditë, ka qenë ditë përgjegjësie maksimale nga ana e gjithë administratës në FSHF, vullnetarëve, zyrtarëve të UEFA që ishin vendosur në institucionin tonë.

Dje, ne mirëpritëm mbi 60 delegacione, ku përfshihen presidentët e 25 federatave të futbollit ndërkombëtar, thuajse gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA si dhe rreth 100 figura te spikatura të botës se futbollit, sponsor, partner, si dhe 510 gazetarë të mediave botërore e mbi 90 fotografë.

Mirëpritëm legjendat e futbollit ndërkombëtar si Boniek, Savicevic, Shuker, Toti, Figo, Boban, Van Persi, Tomason, Di Biaxhio, Robi Kean, Aldair, Kandela, e shumë të tjerë.

Mirëpritëm rreth 20 mijë tifozë brenda stadiumit, si dhe po aq të tjerë jashtë tij nëpër sheshe dhe fan zona.

Vetëm një orë më parë përcolla në aeroport presidentin Ceferin dhe stafin drejtues të UEFA të cilët më shprehën falënderimet e tyre për këtë sipërmarrje të madhe që doli me sukses që na zbardhi faqen të gjithëve, jo vetëm Shqipërisë por edhe vetë UEFA-s që na e besoi.

Dhe në këtë moment vjen çasti i falënderimeve:

Në radhë të parë dua t’ju falënderoj të gjithëve ju për impenjimin maksimal të këtyre ditëve e javëve në mbyllje të finales së UEFA Conference League në Tiranë.

Pa mbështetjen tuaj, raportimet, mirëkuptimin tuaj edhe për detaje te paparashikueshme që na dilnin rrugës shpeshherë, kjo punë e jashtëzakonshme nuk do te kishte vizibilitetin për mbarë opinionin shqiptar.

Së dyti, falënderoj UEFA-n, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv në UEFA dhe në veçanti presidentin Ceferin që na besuan pa u ndalur në ëndrrën tonë, tashmë realitet për zhvillimin e finales në Tiranë, në “Air Albania” stadium.

Së treti falënderoj gjithë administratën shtetërore dhe institucionet vendore dhe në veçanti kryeministrin Rama për mbështetjen e pakursyer në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Një falënderim i veçantë për forcat e policisë qe garantuan sigurinë ne stadium dhe menaxhuan situatën shpeshherë jo të lehtë në rrugët e kryeqytetit.

Falënderoj gjithë sportdashësit shqiptarë dhe qytetarët e Tiranës për mikpritjen që ofruan dhe që e kthyen këtë ndeshje në një festë të madhe për Shqipërinë.

E lashë për në fund, por në veçanti falënderoj stafin e Federatës Shqiptare të Futbollit për angazhimin e pakursyer me muaj të tërë, me orë e pa orë, ditë e natë për të plotësuar panoramën e zhvillimit të një finaleje model, njëlloj me të gjitha kompeticionet e tjera.

Të dashur sportdashës

Në mbyllje dua të garantoj se ky aktivitet historik është i pari, por jo i vetmi,  i një serie aktivitetesh ndërkombëtare të vazhdueshme.

Ne dëshmuam me fakte e prova se kemi kapacitetet dhe infrastrukturën për të përballuar sipërmarrje të tilla.

Festa të tilla sportive uroj të kemi dhe në të ardhmen, sepse futbolli veç na bashkon.

Jam i hapur për pyetjet e gjithsecilit.

Faleminderit”

 

Më poshtë, edhe pyetjet e gazetarëve dhe përgjigjet e Presidentit Duka:

– President, në raport me të gjitha pritshmëritë që kishit në raport me organizimin e kësaj finaleje, duke e marrë volumin e madh të punës nga A-ZH, kishte ndonjë moment që patët dyshime që një gjë nuk do të na shkonte mirë?

Kjo finale na ka mbushur me më shumë eksperiencë. Padyshim që nëse do bëjmë një tjetër, do e bëjmë më mirë dhe një të tretë apo një të dhjetë akoma më mirë. Ne nuk e kishim këtë eksperincë, ndaj në çdo proces kishim frikën apo kujdesin e duhur. Nuk është se kam dyshuar, e thashë, gjëja kryesore që kemi dyshuar dhe kjo më çon të bëj përsëri një falenderim për qeverinë që u tregua e zgjuar dhe bëri pushim dhe ditën pa makina për Tiranën, por në të njejtën kohë dhe ata që e pranuan sepse në fund të fundit, është në një lloj mënyre cënim i të drejtës së tyre, por e pranuan të gjithë me dëshirën e madhe për të promovuar sa më mirë vendin tonë. Edhe një gjë tjetër që më ka bërë përshtypje, ka munguar në fakt në traditën tonë të organizimeve, kanë qenë vullnetarët. Ne kemi pasur aplikime pafund për vullnetarë. Edlira i ka drejtuar ata në mënyrë perfekte. 400 të tillë janë rekrutuar dhe kanë punuar më mirë mbase se ata që janë paguar. Një eksperiencë që duhet ta përdorim edhe në të ardhmen. Ne bëjmë pak punë vullnetare realisht, ndaj në të ardhmen, në organizimet tona, është një eksperiencë që e fituam.

 

– Nëse mund të zbardhni diçka nga një feedback i Presidentit të UEFA-s në lidhje me këtë angazhim, në përvojë të parë në një vend modest..

– Feedback-u ka qenë pozitiv nga të gjithë drejtuesit e Federatave homologe. Pa dyshim, shumë i kënaqur jo vetëm Presidenti me organizimin e gjithçkaje, që nga momenti i arritjes në Shqipëri të tifozit të parë dhe largimin e tifozit të fundit, vlerësimet kanë qenë maksimale. Pa dyshim që brenda një organizimi madhor si ky, ne kemi mbajtur shënim për ndonjë detaj që mund të ishte edhe më mirë, por në total, feedback-u ka qenë shumë pozitiv, përshtypjet shumë pozitive dhe nuk mund të them që e kemi kaluar klasën, por kemi marrë nota maksimale, të gjithë ne bashkë, për organizimin e një eventi shumë të rëndësishëm.

 

– Duke marrë si shembull kualifikimin tonë në Europianin e 2016, që na u bë pastaj si detyrë për t’u kualifikuar çdo herë, a e ka Shqipëria shansin të kemi në të ardhmen aktivitete të tilla të këtij niveli? Apo ishte i pari dhe i fundit?

– Në fakt, që pas përfundimit të ceremonisë, filloi një lloj diskutimi i ri që ja, ne mund të bëjmë mirë dhe pse mos të shohim tani për të pasur një kompeticion të tillë si Conference League, Europa League apo Champions League, që momentalisht është e pamundur për kapacitetet e stadiumit, por për të pasur ndonjë finale Superkupe apo tjetër event të rëndësishëm europian të tipit Kampionat Europian të rinjsh, U-17, U-19, U-21. I kemi të gjitha mundësitë për t’i pasur. Kështu që, duhet të jetë objektivi i radhës.

 

– Nisur nga fakti që këtu ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të gjithë drejtuesit më të lartë dhe ju jeni pjesë e KE-së, ndoshta drejt fundit të mandatit, mos ishte ky një lloj lobimi për një tjetër kandidaturë

– Kur kemi aplikuar, pasi nuk kam qenë anëtar Komiteti, kur u mor vendimi, sapo isha zgjedhur në Komitetin Ekzekutiv dhe nuk kisha menduar për një mandat tjetër në atë kohë. Ishte organizimi i vendosur shumë më parë. Ajo për të cilën kam dashur unë dhe të gjithë ne është që të kishim opinione pozitive për organizimin tonë si Shqipëri. Dhe sot e shijoj këtë përfundim me sukses të eventit si qytetar shqiptar sesa si President i i Federatës.

 

– President, nëse do të ktheheshit edhe njëherë, keni diçka për të ndryshuar nga i gjithë ky sukses, imazh? Dhe e dyta, flitet shpesh në media që vlerësimet apo evenimentet shqiptare, Superiorja, Superkupa janë shumë të vogla ekonomikisht. A keni në plan për t’u riparë dhe për t’u rivlerësuar?

– Nëse do kisha ndonjë gjë që do bëja më mirë, nuk e di. Gjëra esenciale të organizimit, nuk e di nëse mund të bënim ndonjë gjë më mirë. Nëse do të kapim çdo proces, pa dyshim që ka mundësi për të qenë akoma më lart, por ndonjë process që të jetë harruar apo mos të jetë bërë, nuk ka. Gjëra që mund të bëja ndryshe, pas ndeshjes jam kujtuar që mund të ftoja ndonjë personalitet tjetër që mund ta kisha harruar. Këtë do të korigjoja. Ndërsa sa i përket shpërblimeve, realisht kjo është çështje tregu. Shpërblimet që marrin sot ekipet fituese, nga Abissnet Superiore, janë shpërblime që dalin nga buxhetet e Federatës dhe buxheti i Federatës paguan gjithçka për aktivitetet në Shqipëri dhe e ka të vështirë të rrisë shpërblimet. Nëse tregu do të rrisë të ardhurat për kampionatet, atëherë do të vetërritet shpërblimi. Domethënë, të financohet bonusi për kampionatet, nuk më duket një veprim i drejtë politik.

 

– Ju ka shkuar në mendje të organizoni si Ballkan, me Kroacinë, Serbinë, apo Maqedoninë e Veriut e Kosovën, të propozoni një kampionat europian?

– Kampionati i fundit është organizuar në disa vende, por për kampionatet e tjera, janë vendosur në një, maksimumi dy shtete. Në 2024 është marrë vendimi që do të luhet në Gjermani dhe deri në 2032 është vendosur që kampionati të luhet në një apo dy shtete. Kështu që ka pak shanse që të luhet në më shumë vende.

 

– Ideja e Conference League ishte për të promovuar vende dhe klube të vegjël apo të mesme. Sa e ka ndihmuar ky aktivitet dhe kjo ide e UEFA-s për të krijuar këtë kompeticion, Shqipërinë në imazhin e vet? Sa e promovoi ky aktivitet Shqipërinë duke parë dhe numrin e mediave që ishin të pranishme?

– Nëse në Shqipëri kanë qenë prezent 510 gazetarë të huaj, nëse ndeshja është transmetuar në 155 vende të botës dhe është ndjekur nga 400 milionë shikues në television dhe gjatë gjithë këtij transmetimi, nuk ka pasur asnjë lajm negativ apo incident dhe të gjithë kanë dalë të mrekulluar nga atmosfera e stadiumit, nga vetë stadiumi që është një projekt fantastik, shumica e tyre e kanë quajtur, siç edhe ne e kemi menduar “xhevahir”, unë nuk mendoj se mund të kishte promocion më të mirë për futbollin shqiptar dhe vendin. E kam thënë për futbollin shqiptar dhe për vendin. E kam thënë edhe para finales, që ne duhet të përfitojmë nga çdo lloj eventi, nga çdo lloj dritare që na jep mundësinë për të dalë në Europë, për të pasur përfitime ekonomike direkte, siç kishte në këtë rast, por edhe indirekte, për të treguar Shqipërinë, për ta promovuar. Sepse pak njerëz e kanë vizituar Shqipërinë realisht nga numri i madh që ka bota. Kështu që ka nevojë për shumë promocion, me evente faktike, pasi promocion me letra dhe reklama televizive është e vështirë të bësh, por promocion me fakte. Ky ishte një pasqyrim i realitetit shqiptar në fund të fundit.

 

– Ka disa pika të këtij eventi madhor, që mund të vihen në funksion të organizimit në futbollin shqiptar?

– Pa dyshim që stafi i Federatës së Futbollit që unë i falënderova dhe dua t’i falënderoj, pasi nën këtë staf janë shumë të tjerë, është e gjithë administrata e Federatës dhe të gjithë vullnetarët dhe të gjithë bashkëpuntorët. Janë trajnuar për organizim eventesh, kanë shkuar për të parë evente, por është ndryshe, kur nën ekspertizën e njerëzve që kanë eksperiencë shumë të madhe, siç janë ekspertët e UEFA-s, mëson shumë dhe të gjithë këto mësime, gjithësekush në procesin e tij i ka mbajtur shënim për t’i implementuar në organizimet që ne bëjmë në Shqipëri. Një nga ato është edhe vullnetarët, që ne nuk i kemi aplikuar deri sot dhe nuk e dimë se si t’i bëjmë që të ketë vullnetarë. Por edhe mënyra se si organizohen procese të tjera, hyrja në stadium, kontrolli i njerëzve, mënyra e shpërndarjes së biletave. Të gjitha këto duhet të pasqyrohen. Ky është një pasqyrim tjetër që kemi, që ne të bëjmë aktivitetet tona. Dje stadiumi ishte branduar shumë bukur, megjithëse vetë stadiumi është i bukur, gjë të cilën ne nuk e kemi bërë në ndeshjet ndërkombëtare dhe duhet të fillojmë ta bëjmë.

 

-A shërbeu ky event për të hedhur pas të gjithë atë marrëzi që kaloi futbolli?

– Turbulencat nuk mund t’i fshehim. Janë gjëra reale që kanë ndodhur. E kam thënë edhe gjatë asaj kohe, e kam thënë edhe në Asamblenë Zgjedhore të 15 marsit. Asgjë nuk ka ardhur nga ne, asgjë nuk ka ardhur nga drejtimi i Presidentit të Federatës. Ne nuk kemi sulmuar dhe nuk do të sulmojmë askënd. Kërkojmë bashkëpunim me të gjithë, siç kemi bashkëpunuar tani në këtë finale për të pasur një event perfekt. Kërkojmë bashkëpunim dhe ndihmë nga të gjithë për të pasur futboll akoma më të mirë dhë për të siguruar të ardhmen e fëmijëve tanë. Ata që kanë interesa ndryshe apo interesa kapjesh apo luftëra personale, i ftoj mos të harxhojnë energji me këtë punë, por le t’i kthejnë në energji pozitive për të mirën e futbollit, për të mirën e tyre në fund të fundit.

– Sa i janë rritur kreditet Shqipërisë për të organizuar një tjetër finale të ketyre përmasave dhe pyetja e dytë, futbolli sërish një hap para politikës, si në 2016, por edhe tani. Por politika vazhdon t’ju sulmojë. Si ndiheni për këtë?

– Sa janë rritur kreditet nga 1-10, nuk mund ta them fiks, por mendoj që janë rritur goxha. Por edhe sikur 1 të jetë rritur, është shumë, pasi nuk është e lehtë të rritësh kreditet e një vendi në arenën ndërkombëtare. Ndërsa, sa i përket, futbolli para politikës, ne nuk kemi garë me politikën. Në bashkë me politikën, duam ta zhvillojmë vendin dhe pa politika të mira, nuk ka as futboll.  Shumë herë, mbase edhe keqinterpretohen qëndrimet e Federatës me qeverinë. Se ç’farë është Federata, është një organizatë që merr emrin Federatë me ligj nga qeveria shqiptare dhe pa politikën nuk mund të shkojë kërrkund. Politika duhet të kuptojë kompetencat e veta për të prodhuar politika të atilla që të zhvillojë çdo fushë të jetës sonë dhe një nga fushat është edhe sporti dhe ne këtu sot jemi për futbollin. Bazë ligjore të përshtatshme, infrastruktura të përshtatshme për të zhvilluar lojën dhe jo për të shkuar tek e fundit se si të kapim një institucion për ta përdorur për vete, por si ta bëjmë një institucion të vlefshëm për qytetarët apo për fëmijët.