Presidenti Duka merr pjesë në Kongresin e 70-të të FIFA-s - FSHF

Presidenti Duka merr pjesë në Kongresin e 70-të të FIFA-s

Është zhvilluar sot përmes video-konferencës Kongresi i 70-të i FIFA-s. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Kongresi i 70-të i FIFA-s ishte planifikuar fillimisht të mbahej në kryeqytetin e Etiopisë, Addis Ababa, më 5 qershor, por organi drejtues botëror i futbollit e zhvendosi datën për shkak pandemisë COVID-19.

Kongresi u drejtua nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili në fjalën e tij dërgoi një mesazh inkurajimi për të 211 shoqatat anëtare të FIFA-s përmes video-konferencës sot ndërsa Kongresi i FIFA-s u mblodh në distancë për herë të parë në histori.

Gjatë mbledhjes online në mesin e pandemisë globale, me panoramën e futbollit që dukej shumë ndryshe krahasuar me kongresin e mëparshëm në 2019-n, Presidenti Infantino ritheksoi mbështetjen e FIFA-s për komunitetin e futbollit.
“FIFA nuk po përballet me një krizë, por futbolli po. Paratë shkojnë atje ku duhet të shkojnë: në futboll dhe për të ndihmuar futbollin.”

Presidenti Infantino përshëndeti gjithashtu ndikimin global të Kupës së Botës për femra të vitit të kaluar në Francë dhe përsëriti prioritetin e FIFA-s për futbollin e femrave përmes Programit të Zhvillimit për Futbollin e Femrave dhe investimeve gjatë ciklit aktual katërvjeçar.

Kongresi gjithashtu miratoi Raportin Vjetor të FIFA-s 2019, buxhetin e detajuar për 2021 dhe buxhetin e rishikuar për ciklin financiar katërvjeçar 2019-2022.