Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dha opinionin e tij në lidhje me kampionatin shqiptar gjatë një interviste për “Ora Sport”.
KAMPIONATI
I pyetur nga gazetari Gerti Çarçani, nëse ky është kampionati më i bukur qysh kur ai ka marrë presidencën, Duka u përgjigj: “E bukura është subjektive, ky është një kampionat me garë të ndezur, me më shumë interes për sportdashësit, me në shumë interes në shoqërinë shqiptare. Fakti që, katër skuadra rivalizojnë për titullin e ka bërë më interesant garën. Tirana ka një histori të madhe; Partizani është rikthyer pas aventurës në kategoritë inferiore; Kukësi është një skuadër e re në Superligë, por që ka konkurruar me dinjitet; Skënderbeu është mbajtës i trofeut dhe ka bërë sezonet e fundit kampionat të shkëlqyer. Uroj që të shkojnë kështu deri në fund. Sa më shumë të jenë afër njërit-tjetri, aq më shumë emocione do të ketë. Nëse do të ishin sa më afër javën e fundit, aq më mirë do të ishte. E rëndësishme është që gara të shkojë mirë dhe të na dhurojë emocione deri ditën e fundit. Është e vërtetë që ka ndeshje të bukura, kjo dhe për arsye të formulës. Nëse do t’i vija një notë kampionatit, do të ishte diku te 8-ta. Nuk është se skuadra më e mirë do të dalë detyrimisht kampion, ndonjëherë e humbet për një shtyllë apo për një penallti që e merr kundërshtari”.
BATUTA E PRESIDENTËVE
Në lidhje me batutën e presidentit të Skënderbeut se i kam thënë Dukës se rruga për në Korçë tani është bërë më e mirë, Duka tha: “Autostrada e Kombit është më e mirë se rruga e Korçës. Gjithsesi, Skënderbeu është një ekip i mirë, jo pa meritë është atje. Diferencat janë të vogla, nuk dihet se çfarë ofrojnë javët e fundit. Gjithsesi, kush do që të jetë nga këta të katër kampion, e meriton. Nuk është çudi që edhe Partizani të dalë kampion. Kampionati është i gjithi për t’u luajtur”. Duka dha edhe një vlerësim për Laçin: “Ka qenë një skuadër e mirë e viteve të fundit, pavarësisht paragjykimeve që është një ekip i një qyteti të vogël. Ka bërë futboll të mira, ka luajtur në kupat e Europës. Meriton përgëzime!” Duka tha se ai ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë presidentët e Kategorisë Superiore dhe se vazhdimisht është në kontakt me ta.
GABIMET E GJYQTARËVE
“Nuk besoj se, niveli i arbitrave me futbollin nuk ka diskordancë madhe, ato ecin paralelisht. Kemi investuar që ky faktor i rëndësishëm i lojës t’i përgjigjet garave në të gjitha kategorinë. Në dy vitet fundit kemi katërfishuar shpërblimin e gjyqtarëve. Gjyqtarët kanë njkë administratë më vete, bëjnë kualifikime. Gabime njerëzore siç bëjnë futbollistët do të bëjnë dhe gjyqtarët. Urojmë që të këtë sa më pak gabime njerëzore dhe aspak gabime të qëllimshme. Jam i bindur se, gjyqtarët nuk e vendosin dot kampionatin”.
DHUNA DHE TRUKIMET
I pyetur në lidhje me faktin që ky kampionat ka më pak dhunë dhe për dyshimet për trukime, Duka tha: “Masat e marra kanë qenë konkrete dhe do të jenë më konkrete. Ka pasur dënime për lojtarët. Komisioni i Etikës duhet të marrë përgjegjësi dhe ta minimizojë çështjen e dyshimeve dhe nëse nuk mundet ta eliminojë fenomenin”.
TË ARDHURAT NGA UEFA
Të ardhurat nga UEFA priten të jenë më mëdha për klubet shqiptare. Presidenti Duka tha: “Çdo vit janë shtuar të ardhurat. Besoj se klubet shqiptare vitin e ardhshëm do të marrin më shumë të ardhura, jo vetëm ato që do të marrin pjesë në Europë. Klubet do të marrin më shumë të ardhura nga menaxhimi i të drejtave. Nuk mund të them një shifër, por dua të konfirmoj se në përqindje më shumë. Skemat e shpërndarjes së të ardhurave janë të njohura në Europë. Mendoj që të ardhurat të ndahen në mënyrë të përafërt, pasi klubet nuk kanë diferenca të mëdha midis tyre”.
KRIJIMI I LIGËS PROFESIONISTE
Jemi në kohë për të krijuar Ligën. Niveli organizativ është më i mirë. Forma juridike është përcaktuar. Të menaxhojnë gjëra që mund të menaxhojnë të ardhurat, do ta shesin vetë të drejtën televizive, hapësirat publicitare. Mund të jetë më mirë. Federata do të japë asistencën e nevojshme. Jam i mendimit se është më mirë që të drejtat të menaxhohen bashkë dhe jo nga individualisht. Liga mund të përfaqësohet edhe në të gjitha komisionet, si të gjyqtarët, disiplinës, apelit, dhomës së zgjidhjeve të konflikteve. Besoj se, së shpejti do të organizohet një tryezë. FSHF-ja do të ndajë një buxhet për t’ia lënë Ligës për ta menaxhuar”.
MË MIRË SE FQINJËT
Presidenti Duka tha se, niveli i kampionatit shqiptar ka nivel më të lartë se të paktën fqinjët tanë. “Kampionati është më i bukur se Maqedonia, Mali i Zi. Kampionati grek ka dy-tre klube serioze, ndërkohë që klubet e tjera kanë probleme pa fund”.
LOJTARËT E HUAJ
“Aktualisht, në kategorinë superiore lejohen katër të huaj. Kjo do të jetë dhe vitin e ardhshëm. Nuk e pengojnë të huajt zhvillimin e futbollit tonë”.
STADIUMI I RI NË TIRANË
Në lidhje me ndërtimin e stadiumit të ri në kryeqytet, Duka tha: “Kemi vështirësi financiare. Financat e Federatës janë të limituara. Të ardhurat tona janë nga donacionet FIFA dhe UEFA. Kemi investuar në stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të bashkëinvestojmë në “Loro Boriçi”. Jemi do kërkuar një formulë financimi për të investuar në “Qemal Stafa”. Stadiumi i ri do të ndërtohet në të njëjtën vend”.
RIKONSTRUKSIONI I “LORO BORIÇI”-it
“Është në përfundim projekti, pritet të fillojë se shpejt. Preventivi paraprak nuk ka dalë akoma. Kemi rënë në parim me Qeverinë shqiptare që investimi do të jetë i përbashkët. Koha deri në tetor është shumë e ngushtë, por Kryeministri ka dhënë një premtim që ndeshja kundër Serbisë do të luhet në Shkodër, por unë besoj se do t’ia arrijmë. Unë dua që sportdashësve shkodranë t’u jepet një vepër e bukur. Do të më pëlqente të luhej në Shkodër, atje kemi mundur edhe Rusinë.

















