Presidenti Duka: Dhuratë e bukur për shqiptarët - FSHF

Presidenti Duka: Dhuratë e bukur për shqiptarët

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka shprehur gjithashtu kënaqësinë e tij për këtë nisje perfekte të Kombëtares shqiptare në eliminatoret e Botërorit. Menjëherë pas fitores 2-0 ndaj Lihtenshtejnit, Presidenti Duka ka vlerësuar suksesin e arritur nga kuqezinjtë dhe ka theksuar se ndihet krenar për këtë skuadër. Gjithashtu, ai nuk e ka fshehur kënaqësinë që ndien kur shikon se përfaqësuesja kuqezi ndodhet e parë në grup për momentin. “Është ndjesi shumë e bukur. Shumë miq më kanë dërguar foto të renditjes së grupit, ku Shqipëria ka lënë poshtë Spanjën dhe Italinë. Nëse deri në fund do të jetë kështu, do të jetë mrekullia vetë. Në përgatitjen e ndeshjes, ekipi po përgatitej sikur do të përballej me ekipin më të fortë të botës. Shqipëria po përballet me skuadra të forta. Të arrish rezultat kundër këtyre skuadrave është shumë e vështirë. Me sa pash në fushë ata nuk mund të na shënonin ne, por ne nuk mund të shënonim. Kjo është dhuratë shumë e bukur për gjithë shqiptarët. Kjo deri ditën e diel, pastaj duhet të përballemi me Spanjën. Do të ketë festë modeste, sepse ekipi do të përgatitet për ndeshjen e radhës. Ne duhet të synojmë Rusinë. Kemi grup të vështirë, sepse në grup kemi dy skuadrat më të vështira të botës. Nuk do të humbasim gjë nëse do të tentojmë deri në fund”, – deklaroi Presidenti Duka në një prononcim për mediat pas ndeshjes.