Presidenti Armand Duka ngushëllon homologun Italian për humbjen e ish-arbitrit Stefano Farina! - FSHF

Presidenti Armand Duka ngushëllon homologun Italian për humbjen e ish-arbitrit Stefano Farina!

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka i ka përcjellë ngushëllimet e tij dhe vetë institucionit që ai drejton, FSHF-së, Presidentit të Federatës Italiane të Futbollit Carlo Tavecchio për humbjen e parakohëshme të ish-arbitrit italian Stefano Farina.

“Më lejoni zoti President, që në një ditë kaq të trishtuar për futbollin Italian t’ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e rëndë të z.Stefano Farina. Një njeri i madh të cilin kam patur rastin ta takoj personalisht edhe në Tiranë në vitin 2006, kur ishte në Shqipëri në atë vit për të arbitruar finalen e Kupës së Shqipërisë. Ngushëllimet e mia më të thella edhe për familjen Farina për humbjen e njeriut të tyre më të dashur”,- i shkruan kështu kreu i FSHF-së, Armand Duka, Presidentit të FIGC (Federatës Italiane të Futbollit), Carlo Tavecchio. Njëherësh Presidenti Duka ka ngushëlluar edhe Presidentin e Shoqatës së Arbitrave italianë z.Marcello Nicchi për humbjen e parakohëshme të Stefano Farinës.