Kombëtarja do të luajë nesër në “Air Albania” në ora 20:45 ndaj Letonisë ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Në prag të kësaj sfide, trajneri Silvinjo dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën në konferencën zyrtare për media, të zhvilluar pasditen e sotme në stadiumin “Air Albania”.
Trajneri Silvinjo theksoi se ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme dhe skuadra do të hyjë në fushë për të fituar.
Çfarë do ndryshohet në skuadër dhe a ka presion – Sigurisht që do të jetë ndeshje e ndryshme nesër. Po flasim për gjëra të ndryshme. Ndeshjet për të shkuar në Kupën e Botës janë ndryshe dhe të vështira. Dy ditë më parë ne pamë ndeshjen e Serbisë me Letoninë dhe ishin 90 minuta të forta. Ndeshja ishte pak a shumë aty-aty, edhe rezultati. Në futbollin modern, rezultate të tipit 6-0, si ai me Spanjën janë të rralla. Ne nuk jemi të atij niveli. Në ndeshje me rezultat 0-0, 1-1, 1-0, loja ëshë e hapur dhe mund të bësh diçka. Letonia është ekip fizik, i organizuar, që lufton gjithmonë për topin, qëndrojnë në lojë, luftojnë. Janë të mirë sa u takon goditjeve standarde dhe kanë pasur aksione të tilla dhe kanë pasur rezultat. Sa i takon ndeshjes me Gjibraltarin, ishte një atmosferë krejtndryshe. Puna në Kombëtare është ndryshe nga klubi. Përmendim rastin e Medon Berishës, që ka 6 muaj me ne, por ishte hera e parë që e niste nga fillimi. Duhet t’i shihja lojtarë të tillë si Berisha, Pajaziti, Dajsinani, Simoni, Shpendi, Kacurri. T’u kërkosh atyre të kenë një rezultat 6-0 është pak e vështirë. Sigurisht që prisja më tepër, edhe ata prisnin më tepër. Po përgatitemi shumë mirë për ndeshjen e nesërme.
A do ketë ndryshime në formacion – Ende nuk kam vendosur se kush do të jetë formacioni nesër. Do kemi ndryshime, si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe ne aspektin sulmues. Kemi edhe një seancë stërvitore. Formacionin do ta vendos nesër.
Të dënuar për fitore – “Është gjithmonë moment i mirë nëse e ke në dorë situatën. Është një ndeshje kyçe me Letoninë, shumë e rëndësishme, duhet të përgatitemi të bëjmë një paraqitje të mirë, të luajmë 90 minuta dhe të tentojmë të fitojmë në këtë ndeshje.
Mungesa e entuziazmit dhe lojtarët pa minuta – Siç e thashë edhe më parë, është një moment i mirë i Kombëtares, edhe nëse ka presion, kur ti e ke çdo gjë në dorë, është një moment shumë i mirë. Sigurisht që në futboll luan 11 kundër 11, çdo lloj rezultati ekziston, 1-1, 1-0, 0-0, por futbolli është i tillë. Zakonisht kur ke rezultat të mirë gjërat ndryshojnë dhe janë më të mira. Më shumë se të shqetësohem për lojtarët që nuk janë në listat e skuadrave të tyre për Europën, shqetësohem për ata lojtarë që kanë ndryshuar ekipin, trajnerinm pasi ndryshon metodologjia. Nuk jemi në nivelin për të zgjedhur lojtarët që kanë më shumë minuta me skuadrat e tyre. Kam marrë lojtarë që në 6-7 ndeshjet e fundit ka luajtur zero minuta. Kjo nuk më shqetëson.
Deklarata se luajtëm mirë me Gjibraltarin – Pas ndeshjes me Gjibraltarin nuk mund të thoja dot 4 lojtarë që ishin për herë të parë me Kombëtaren, lojtarë 20, 21 vjeçë, që ‘ju bëtë një ndeshje të keqe, nuk bëtë çfarë kërkoja’. Kur kam debutuar e Brazilin nuk kam fjetur dot gjithë natën. E rëndësishme është që lojtarët të vrapojnë në fushë, të tentojnë të bëjnë diçka. Ata nuk kishin luajtur ndonjëherë me njëri tjetrin, plus edhe elementi i moshës. Dajsinani më pëlqen shumë si portier, sikurse edhe Simoni. Nuk është e drejtë që unë t’u them atyre vraponi më tepër dhe t’i vë në presion herën e parë që luajnë me ne, apo t’u them që shkoni në fushë dhe shënoni tre gola. Më korrigjoni nëse e kam gabim, por nuk di ndonjë lojtarë të Kombëtares që ka shënuar tregolësh. Duhet të kemi durim, sidomos me lojtarët e rinj, pasi janë në një moshë që duhet të rriten. Sigurisht që nesër nëse nuk do të ketë një paraqitje të mirë unë do ta them, por jam i sigurt që paraqitja do të jetë shumë e mirë sepse kam besim te lojtarët e mi.
Sulmi – Kur sheh dy vitet e gjysmë të fundit, ekipi ka ndryshuar shumë. E kam thënë gjithmonë që Kombëtarja është e hapur, më pëlqen kur vij dhe shoh lojtarë të rinj, kontrolloj sa kanë luajtur. Nëse janë në formë të mirë fizike, sigurisht që vijnë te ne. Sa i takon Asanit dhe Brojës, janë dy lojtarë të ndryshëm në karakteristika, por shumë të mirë. Asani ka kaluar më shumë kohë me ne sa u takon këtyre tre viteve të fundit, sigurisht ka shënuar më shumë. Nuk mund të them nëse ata të dy do të luajnë nesër, por të dy më pëlqejnë si lojtarë, kanë besimin tonë si staf teknik. Ndoshta një prej tyre mund ta nisë nga fillimi nesër.
Nga Anglia te Gjibraltari, a janë ndeshje të denja për një ekip që synon Botërorin? – Ndaj Anglisë ishte një ndeshje e mirë, është e vështirë të luash ndaj saj në Wembley. Kur u kthyem në Shqipëri dhamë një performancë fantastike ndaj Andorrës, ndaj Serbisë ka qenë një nga performancat më të mira për ne, por jo rezultati. Mund të kontrollosh performancën, por rezultatin kurrë. Sigurisht, sa më performancë të mirë të kesh, aq më e lehtë është të kesh rezultate. Ndonjëherë futbolli është shumë i vështirë. Në ndeshjen e fundit ndaj Letonisë në transfertë, nuk më ka pëlqyer performanca e ekipit 45 minutat e para. Bëmë disa gabime, nuk u vendosëm mirë në fushë, nuk e kuptuam mirë lojën 30 minutat e para dhe në këto raste e paguan shtrenjtë. Nëse do të shkosh në kampionatin botëror, nuk mund të dështosh, nuk ke kohë të bësh gabime. Pra, nuk më ka pëlqyer pjesa e parë ndaj Letonisë, as performanca nuk ishte e mirë.
Ndeshje finale për Kombëtaren dhe ju? – Nuk të përgjigjem dot për pyetjen e dytë, por do flas për ndeshjen. Sigurisht që është një ndeshje kyçe, shumë e rëndësishme. Çdo ndeshje është e rëndësishme, edhe ndeshja në Riga para 3 muajsh ishte e rendësishme. Sa herë bën një gabim i largohesh Botërorit. Është i vështirë rrugëtimi drejt Kupës së Botës, ju e dini më mirë se unë. Puna tani është të jemi të gjithë bashkë, ne jemi një. Të hyjmë në fushë, të bëjmë më të mirën dhe të fitojmë ndeshjet. Nuk e dimë çfarë ndodh në ndeshjet e radhës, në tetor apo nëntor. Duhet të mendojmë për ndeshjen e nesërme. Jemi mësuar me presionin, është një ndeshje shumë e rëndësishme.
Pozicioni i Shehut në klub dhe Kombëtare – Shehu është një lojtar shume i mirë. E kemi ndjekur për 6 muaj, pasi kemi parë video të ndryshme të tij. E kemi sjellë ne në Kombëtare dhe e kuptojmë si luan te ekipi i tij dhe te ne. Te ekipi i tij vendos trajneri, te Kombëtarja mund të jetë diçka ndryshe dhe duhet të respektohet secili rregull. Është çështje taktike, ka shumë lojtarë që mund të luajnë pozicione të ndryshme, si Asllani apo të tjerë. Është djalë shumë i mirë, po rritet shumë, na pëlqen shumë, e ka përmirësuar ekipin në atë pozicion dhe jam shumë i lumtur me të.

Kapiteni Berat Gjimshiti tha se skuadra është përgatitur për të dhënë maksimumin nesër dhe për të marrë tre pikët në këtë ndeshje.
Si është skuadra për ndeshjen nesër dhe a ndjen presion për të marrë tre pikët? – Ekipi është përgatitur mirë. Kemi pasur edhe kohë për të përgatitur këtë ndeshje. Nuk do të jetë e thjeshtë, por jemi pozitivë për ndeshjen nesër. Ndjejmë presion sepse nëse në çdo ndeshje ke presion, përqendrimi është më i lartë. Të marrim tre pikët nesër, që janë të nevojshme për të vazhduar rrugëtimin për t’u kualifikuar.
Çfarë do të bëni ndryshe nga ndeshja në Riga? – I kemi parë ndeshjet dhe jo vetëm ato, por edhe ndeshjen që luajti Letonia me Serbinë. Ndeshja në Riga nuk ishte e mirë. Kemi gabuar. Në futbollin e sotëm nuk fitohet më aq thjeshtë. Nesër do jetë një ndeshje ndryshe, na nevojiten tre pikët për ëndrrën. E kemi vetë në dorë dhe kjo është më e rëndësishmja.
Mesazh për tifozët – Do japim 100% për të realizuar këtë ëndërr, siç e kemi kaluar për dy Europiane. Kualifikimi në Botëror do të ishte historik për të gjithë shqiptarët. Jemi gati për nesër, do japim gjithçka për tre pikët, do japim maksimumin.
A është e karikuar skuadra për nesër? – Dëshira është shumë e madhe. Nesër do jetë një ndeshje ndryshe. Me Gjibraltarin, pritshmëritë ishin më të larta. Patëm edhe disa lojtarë të rinj, të cilët luajtën për herë të parë me kombëtaren. Trajneri pa lojtarët e rinj, çfarë mund të jepnin për kombëtaren. Ndeshja nesër do jetë shumë ndryshe, duhen tre pikët. Dëshira është brenda grupit, për t’u kualifikuar në Botëror, rastet janë të pakta. 1-2 herë në jetë. Ky është rasti më i bukur që kemi.
A jeni të vetëdijshëm që ky është rasti ynë i fundit? – E dimë që është rasti i fundit. Vetëm nëse edhe ekipet e tjera gabojnë, por nuk besoj. Është rasti ku ne jemi ende në rrugëtim për t’u kualifikuar. Skuadra është e vetëdijshme që kjo ndeshje nesër mund ta ndryshojë këtë grup dhe të fusë në presion të tjerët. Tre pikët vlejnë shumë nesër.
Luajmë më mirë me ekipet e mëdha dhe lëshojmë me ekipet e vogla. A është ky një konstatim i drejtë? – Mund të jetë, sepse nëse luan me kombëtaret “më të vogla”, luajnë edhe më mbrapa taktikisht. Me Serbinë ishte pak më e hapur ndeshja dhe ato provuan të bënin gol apo të luanin më hapur. Me Letoninë është pak ndryshe, sepse e dinë cilësitë se sa mund të arrijnë. Prandaj është pak më vështirë.


















