Pikë referimi për çdo staf klubi, ja pse është i rëndësishëm roli i video-analistit - FSHF

Pikë referimi për çdo staf klubi, ja pse është i rëndësishëm roli i video-analistit

Do të jenë tridhjetë orë me futboll dhe teknologji. Kursi i tretë për video-analistë i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit do të zhvillohet në datat 19-24 prill në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë. Dhe për herë të parë, meqë po flasim për teknologjinë, kursi do të kryhet me prezencë fizike dhe në transmetim të drejtpërdrejtë online. Do të ketë 40 vende në dispozicion, përfshirë pesë për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Përfaqësuesit e klubeve të futbollit do të kenë një avantazh në këtë kurs, pasi për ta ofrohen 10 vende falas.

 

Kush është video-analisti i futbollit?

Ai është personi i cili bën kërkime, mbledh, analizon dhe siguron të gjitha llojet e informacionit për stafin e tij, lojtarët dhe drejtuesit. Është një figurë e pranishme në të gjithë stafet e nivelit profesionist në futbollin ndërkombëtar dhe që luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në çdo klub. Në Shqipëri po shohim frytet e para të punës së Federatës së Futbollit, me video-analistë në ekipet kombëtare të moshave, por së fundmi kjo figurë është integruar edhe në klubet e Kategorisë Superiore. Në planet e Federatës për sezonet e ardhshme është përcaktuar përfshirja e video-analistit në të gjitha stafet e Kategorisë Superiore, por në futbollin evropian ka shembuj të investimit për video-analistët në sektorin e të rinjve, që ka sjellë shumë rezultate.

Çfarë aftësish duhet të ketë analisti i futbollit?

Së pari, një pasion të madh për futbollin. Për të mos u kapur i papërgatitur është e nevojshme të keni një njohuri të mirë të futbollit dhe rekomandohet njohja e gjuhës angleze. Për përdorimin e kompjuterit nuk ka pse të druheni: softueri i sotëm është shumë intuitiv dhe duhet që konceptet teorike të mësohen për t’u përdorur në mënyrën më të mirë të mundshme. Kursi do të trajtojë tema në lidhje me këtë profesion të ri të futbollit: analiza taktike, editimi i videos, analiza e videos, analiza statistikore, raportet dhe komunikimi brenda stafit. Video-analisti është një figurë komplekse dhe tërheqëse, një pikë referimi për çdo staf të nivelit të lartë.

Për cilët vlen ky kurs?

Të gjithë adhuruesve të futbollit. Jo vetëm për ata të cilët tashmë punojnë në këtë fushë, por edhe për ata që janë të interesuar të njihen me dinamikën e brendshme të futbollit. Nëse për një trajner pjesëmarrja në kurs mund të jetë një mënyrë e re për të përballur dhe pasuruar njohuritë e tyre, për një gazetar mund të jetë një mënyrë për të lexuar lojën në një mënyrë tjetër nga ajo e profesionit të tij. Për të rinjtë mund të jetë një mënyrë për të hapur një derë tjetër në tregun e punës, për më ekspertët një mënyrë për t’iu qasur teknologjive të reja të futbollit.

Cilat do të jenë temat e kursit?

Gjatë javës së leksioneve do të përqendrohemi në analizën e ekipit dhe kundërshtarëve: si të krijoni një analizë, si i paraqitet analiza stafit dhe ekipit, si të organizoni një analizë statistikore. Platforma WyScout, databaza e të dhënave më e madhja në botë për ekipe, ndeshje dhe lojtarë, do të përdoret si bazë e kursit. Studentëve do t’u jepet një version provë në mënyrë që të zhvillojnë provimin përfundimtar. Përveç kësaj, temat në lidhje me rolin e video-analistit dhe punën e tij do të trajtohen gjithashtu, si për shembull xhirimi i videos, editimi i videos dhe prezantimi i raporteve.

Për informacione, kostot dhe regjistrimin, dërgoni një e-mail në adresën analysis@fshf.al
Do të jetë një mundësi e shkëlqyer rritjeje për të gjithë që të rriten. Ne po ju presim!