Kanë përfunduar të mërkurën, zboret seleksionuese të organizuara nga Drejtoria e Ekipeve Kombëtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Sipas një program të detajuar, në të përfshiheshin tre kategori moshash, të datëlindjes 1996, 1998 dhe 1999. Përgjatë harkut kohor të një jave, seleksionimet u kryen në Kosovë, Zvicër dhe Gjermani. Rreth 150 futbollistë, janë vëzhguar nga afër prej një grupi ekspertësh, të përbërë nga Redi Jupi Drejtor i Ekipeve Kombëtare, Xhemal Mustedanagiç trajner i ekipit kombëtar U-17 dhe Foto Strakosha trajner i ekipit kombëtar U-19. Seleksionimet kanë nisur më 17 dhe 18 prill në Kosovë. Më pas ato kanë vazhduar më 20 dhe 21 prill në Zvicër për tu mbyllur në Gjermani ku seleksionimet janë zhvilluar dje dhe kanë përfunduar sot.

“Ishte një ndërmarrje e frytshme, pasi kemi ndjekur nga afër rreth 150 futbollistë të tre grupmoshave. Janë evidentuar mjaft element të talentuar të cilët në të ardhmen mund ti shërbejnë mirë ekipeve kombëtare të moshave. Sigurisht, jo gjithçka përfundon këtu, sepse do të duhet shumë punë për të patur sa më shumë lojtarë të talentuar në ekipet kombëtare të moshave”-ka theksuar per faqen zyrtare të FSHF, Redi Jupi.
















