Përfundon edicioni i parë i kampionatit të futbollit 5x5/ Shpallet fitues Vila L - FSHF

Përfundon edicioni i parë i kampionatit të futbollit 5×5/ Shpallet fitues Vila L

Vila L është shpallur ekipi fitues i Kampionatit Kombëtar të Futbollit 5×5 për sezonin 2020-2021, pasi mundi me rezultatin 5-1 ekipin e Pepës.

Në sfidën e zhvilluar në kompleksin “Skënder Halili”, skuadrat finaliste dhuruan mjaft emocione garë dhe gola.

Fillimisht ishte ekipi i kryeqytetit, Vila L, ai që kaloi në avantazh, por në fundin e pjesës së parë Pepa barazoi falë një penalltie të kthyer në gol nga Hyshmeri. Në fraksionin e dytë të lojës Vila L dominoi plotësisht duke shënuar katër gola me anë të Mersini, Adili, Gjinaj dhe Pjetri.

Kampionati Kombëtar i Futbollit 5×5, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit mbylli kështu edicionin e tij të parë, duke arritur një sukses të jashtëzakonshëm.

Kampionati u organizua në disa zona të vendit, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Lezhë, me qindra ekipe të regjistruara dhe kishte si qëllim rritjen dhe masivizimin e lëvizjes futbollistike amatore për të apasionuarit e sportit më popullor për shqiptarët.

Kupa dhe medaljet për fituesit u dorëzuan nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, Fatbardh Jera.