Përfaqësueset rajonale, flet Mema: Ka progres, trajnerët e moshave të punojnë më shumë me futbollistët - FSHF

Përfaqësueset rajonale, flet Mema: Ka progres, trajnerët e moshave të punojnë më shumë me futbollistët

Turneu i përfaqësueseve rajonale që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit ka ulur siparin javën që lamë pas për tre grupmoshat e ndryshme, U-13, U-14 dhe U-15, për t’u rikthyer sërish në muajin dhjetor. Ky turne është ndjekur nga afër nga trajnerë dhe specialistë të ekipeve kombëtare, të cilët kanë parë në aksion elementët në perspektivë, që në të ardhmen mund të afrohen edhe pranë Kombëtares.

Sulejman Mema, specialist pranë Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF flet për eksperiencën e tij në këtë turne, pasi ka ndjekur ndeshjet e zhvilluara në Fier, ku kanë marrë pjesë ekipet e zonave rajonale të Fierit, Korçës, Gjirokastrës dhe Elbasanit.

Në një prononcim për fshf.org, Mema vëren ndryshime nga turneu i zhvilluar në muajin dhjetor dhe rritje të cilësisë kryesisht në Gjirokastër e Elbasan, Durrës e Tiranë. Mema këmbëngul se trajnerët e ekipeve të moshave duhet të punojnë më shumë me futbollistët e vegjël, ashtu sikurse edhe përgjegjësit e zonave rajonale.

“Këtë vit u dha orientimi ndryshe, për të pasur sa më shumë futbollistë në stërvitje dhe mbase cilësia nuk ishte në atë nivel që ne kemi pasur. Kam ndjekur seleksionimet e Fierit, Korçës, Gjirokastrës dhe Elbasanit. Pashë rritje të cilësisë dhe mjaft pozitivitet te Gjirokastra, që ka prurje më shumë se dhjetorin e kaluar. Gjithashtu, edhe tek Elbasani pashë ndryshim cilësor në krahasim me atë që dha në turneun e dhjetorit.

Mendoj që trajnerët kanë punuar mjaft mirë dhe janë korrektë me atë që bëjnë në fushën e lojës. Edhe te Korça, sidomos me datëlindjet 2008 dhe 2010, gjen elementë mjaft cilësorë. Në Korçë, bëhet punë mjaft e mirë bëhet me fëmijët dhe pavarësisht elementëve të mirë që kanë, ata sfumohen me kalimin e kohës në vlerat sportive që ne shohim. Dhe unë vazhdoj të këmbëngul që ne punën duhet ta shohim te trajnerët e ekipeve të moshave. Nga ana tekniko-fizike-taktike, janë trajnerët ata që i rrisin lojtarët dhe duhet të jenë më tepër të përgjegjshëm për punën që bëjnë aty. Kryesorë janë gjithashtu edhe përgjegjësit e zonave rajonale, të cilët duhet të ndjekin nga afër stërvitjet e futbollistëve dhe të japin mendimin e tyre për të rritur diçka nga ana stërvitore për këta lojtarë.

Më vjen keq për zonën e Shkodrës, pasi nuk ka bërë një paraqitje shumë të mirë në këtë turne në aspektin e pritshmërive që kishim. Pashë te ekipet e Durrësit që kanë një progres nga dhjetori dhe po ashtu edhe te Tirana. Datëlindja 2008 në zonën e Tiranës ka nivel, disa prej atyre lojtarëve i kemi edhe në ekip kombëtar. Në turneun e ardhshëm, do t’i rikthehemi formatit të mëparshëm, ku trajnerët e ekipeve kombëtare do t’i drejtojnë seleksionimet për të nxjerrë elementët më të mirë”, – thotë Sulejman Mema për fshf.org.