Ornela Lleshi: Futbolli, e ardhmja ime! Vlerësoj nismën e FSHF-së - FSHF

Ornela Lleshi: Futbolli, e ardhmja ime! Vlerësoj nismën e FSHF-së

Thuajse si çdo futbolliste tjetër, edhe Ornela Lleshi ka nisur të shqelmojë topin fillimisht në lagjen e saj, me shokët dhe shoqet. Ajo e di që për t’ia dalë mbanë në këtë lojë, i duhet shumë punë. Për të, stërvitjet me ekipin e Juban Danjës duken më të rëndësishme se shëtitjet rutinë me bashkëmoshatarët. Jo më kot Ornela tashmë është edhe pjesë e Kombëtares së futbollit të femrave.

Në intervistën për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, ajo tregon sakrificat dhe synimet që ka për të ardhmen si dhe ka një mesazh të rëndësishëm për femrat që luajnë futboll.

Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?

– Sporti në tërësi, jo vetëm futbolli, më ka pëlqyer shumë që kur kam qenë e vogël. Aktivizohesha në lagje me shokët dhe shoqet dhe në momentin kur u hap klubi i futbollit për vajza jam bërë menjëherë pjesë e tij. Që prej asaj kohe unë dhe futbolli, nuk jemi ndarë më nga njëri-tjetri.

– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Dy njerëz më kanë mbështetur që në fillim. Im vëlla, i cili ishte gjithashtu pjesë e futbollit dhe shoqja ime e ngushtë e cila më shtyu dhe më dha besim që unë të aktivizohesha në një klub të mirëfilltë futbolli. Pa mbështetjen e tyre unë nuk besoj se do të isha kjo që jam sot.

– Si stërvitesh, si punon?

– Stërvitem shumë fort, jo vetëm gjatë seancave me klubin, ku kalojmë rreth dy a tri orë por edhe individualisht. Nëse nuk më gjejnë në shtëpi, patjetër që do të më gjejnë në shtëpinë time të dytë që është fusha e futbollit. Unë e di që nëse nuk stërvitem edhe vetë do të jetë shumë e vështirë të realizoj ëndrrat që kam për të ardhmen.

Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Jam e vogël ende dhe nuk jam mësuar që të qëndroj larg familjes. Shpesh më është dashur të lëviz në shtete të ndryshme pa praninë e tyre. Imagjinoni një adoleshente si unë, të qëndroj me ditë jashtë shtëpisë pa ata. Por jo vetëm kjo, pasi unë e di, që nëse dua të eci përpara me këtë lojë duhet të heq dorë edhe nga gjëra të tjera. Kur miqtë e mi kanë dalë për shëtitje, unë nuk kam qenë me ta pasi më është dashur të ndjek stërvitjet apo të jem në ndeshje.

Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Nuk jam e sigurt nëse futbolli do të jetë e ardhmja ime apo jo. Unë po luftoj fort dhe po punoj që mos të ndahem nga ai. Për fat të mirë shoh se po merren iniciativa për ta mbështetur futbollin në tërësi dhe sidomos futbollin që luajmë ne vajzat. Deri para disa vitesh, futbolli i femrave ishte i papërfillshëm dhe mërzitesha shumë për këtë gjë.

Ndërsa sot jam e lumtur sepse e shoh veten si futbolliste profesioniste dhe uroj që të ngjitem më lart në karrierë dhe të krijoj sigurinë se po, futbolli do të jetë e ardhmja ime. Për këtë e vlerësoj edhe nismën e ndërmarrë nga Federata për mbështetjen e futbollit të femrave dhe shpresoj se gjëra më të mira do të bëhen për futbollin e femrave.

Cila është motoja jote apo mesazhi për bashkëmoshatarët e tu?

– Ne shqiptarët e kemi të theksuar pak ndarjen e gjërave, që do të thotë në rastin e futbollit ne dëgjojmë shpesh njerëz që thonë kur ka ndeshje të rëndësishme mes klubeve të femrave “hë se gocat po luajnë.” Shumë nga vajzat ndikohen nga fjalët që thonë të tjerët, por unë do t’i sugjeroja shumë miqësisht se nëse ne do ta ndalim karvanin para çdo qeni që na leh, nuk do të arrijmë kurrë në destinacion. Kjo është jeta jonë, ne kemi zgjedhur të jetojmë kështu dhe nuk duhet të heqim dorë.

Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

– Si shkodrane, pa dyshim që kam idhull një shkodran dhe ai është Elseid Hysaj.