Njohja e të rinjve me historinë e futbollit shqiptar, FSHF ndërmerr nismën e veçantë - FSHF

Njohja e të rinjve me historinë e futbollit shqiptar, FSHF ndërmerr nismën e veçantë

Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërrmarë një nismë të veçantë, me qëllim njohjen e të rinjve me historinë e futbollit shqiptar.

Në kuadër të kësaj nisme, FSHF do të mirëpres të gjithë të interesuarit në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” për të zhvilluar një vizitë në muzeum, ku të rinjtë do të njihen me datat, momentet historike dhe figurat e futbollit shqiptar.

Së fundmi muzeun e FSHF-së e vizituan disa studentë të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, që janë pjesë e “Edukimit Fizik dhe Sporteve” në këtë universitet.

Studentët u mirëpritën nga pjestarë të stafit të FSHF-së, që i shoqëruan gjatë vizitës së tyre në muze. Ata u njohën me historinë e futbollit shqiptar nëpërmjet objekteve, relikeve dhe fotove të momenteve historike për një periudhë më shumë se njëshekullore.

Një eksperiencë unike për të gjithë të rinjtë, që mund të vijnë e të vizitojnë ambientet e muzeut të FSHF-së, për t’u njohur me historinë dhe legjendat e futbollit shqiptar ndër vite.

Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të vizitojnë muzeun e FSHF-së, mund të dërgojnë kërkesën e tyre në adresën e email-it info@fshf.al .