Kongresi i 66-të i FIFA-s ka nisur punimet në Mexico City rreth orës 16:00 (ora 9:00 sipas orës lokale në Meksikë), teksa përfaqësues nga 209 federatat anëtare po diskutojnë për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me futbollin.
Delegacioni shqiptar përbëhet nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe Anëtari i Komitetit ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj.
Sipas axhendës së paracaktuar një ndër pikat kryesore që do të diskutohet është edhe pranimi i Kosovës në FIFA. Çështja e Kosovës është në pikën e 15 të rendit të ditës në Kongres, ndërkohë që Kosovës i duhen 50 për qind të votave për t’u anëtarësuar në FIFA.
Pak ditë më parë futbolli kosovar u pranua në UEFA. Në rast të pranimit në FIFA, Kosova do të jetë pjesë e eliminatoreve të Kampionatit Botëror në Rusia 2018. Për të rejat më të fundit nga punimet e Kongresit të FIFA-s në lidhje me çështjen e Kosovës do t’iu informojmë në vazhdimësi.

















