Nis grumbullimi i përfaqësueses së rajonaleve U-13, Fulvio Pea & trajneri Erjol Merxha: Hedhim bazat për ekipet Kombëtare - FSHF

Nis grumbullimi i përfaqësueses së rajonaleve U-13, Fulvio Pea & trajneri Erjol Merxha: Hedhim bazat për ekipet Kombëtare

Ka nisur për herë të parë grumbullimi i një seleksionim me lojtarët e moshës U-13 të cilët janë përzgjedhur si më të mirët nga të gjitha zonat rajonale të Shqipërisë. Nën drejtimin e trajnerit Erjol Merxha, skuadra po zhvillon grumbullimin dyditor teksa stërvitjet bëhen në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë.

Stafi teknik ka pasur nën urdhrat 20 lojtarë, të cilët janë përzgjedhur nga përfaqësueset rajonale të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Fierit, Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit dhe Lezhës.

Kuqezinjtë e vegjël kanë zhvilluar seancë stërvitore në fushën e ‘Shtëpisë së Futbollit’ sot, ndërsa në program është edhe një ndeshje testuese kundër ekipit përfaqësueses rajonale të Tiranës U-13.

Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, i cili ka prezantuar pak ditë më parë edhe projektin e ri për përfaqësueset rajonale kombëtare, ku bën pjesë edhe ngritja e kësaj skuadre, shprehet se objektivi kryesor i kësaj nisme është rritja e cilësive të futbollistëve shqiptarë që në bazë dhe formimi i talenteve të cilët do të jenë pjesë e ekipeve kombëtare në të ardhmen.

“Është grumbullimi i parë që ne bëjmë dhe kjo është pjesë e projektit të shoqatave rajonale. Është një seleksionim apo një përfaqësuese me djemtë më të spikatur të kësaj grup-moshe në këtë sezon sa i përket punës që është bërë në shoqatat rajonale. Është një iniciativë shumë e mirë, sepse do të njihemi nga afër me ata të cilët janë talentet e ardhshme, sepse pikërisht nga shoqatat rajonale dhe nga këto seleksionime ne do të ndërtojmë ekipet kombëtare të së nesërmes. Kështu që ky është një projekt me vlera të mëdha, kemi vendosur të fokusojmë aty energjitë tona sepse këto janë djemtë e së ardhmes”, – thotë Pea në një prononcim për Fshf.org.

Ndërsa, trajneri i kësaj skuadre Erjol Merxha, thotë ky grumbullim do t’i motivojë edhe më shumë këta fëmijë që të stërviten më shumë dhe të synojnë për të arritur sa më lart në të ardhmen.

“Më vjen mirë që u mor kjo iniciativë për këtë grup-moshë të vitlindjes 2011, sepse është një vlerësim që u bëhet këtyre fëmijëve duke u dhënë një motivim më shumë për t’u stërvitur më shumë në klubet ku aktivizohen, për të bërë me mirë për veten e tyre dhe për t’u testuar në ekipet kombëtare. Shikoj një grup shumë entuziastë fëmijësh, të cilët e kanë marrë me shumë dëshirë këtë pasion të bukur siç është futbolli dhe shpresojmë që të vazhdojnë përsëri me këto grumbullime të tilla”, – shprehet Merxha për Fshf.org, duke theksuar se duke parë edhe kushtet e ofruara, cilësia e futbollistëve do të rritet në të ardhmen.

“Ky është një motivim më shumë për fëmijët e vegjël që të kenë ambicie për të arritur sa më lart. Duke parë kushtet shumë të mira që na ofron FSHF besoj që edhe cilësia do të rritet nga viti në vit. Kushtet e FSHF-së janë që ta vazhdojmë këtë iniciativë pas përfundimit të ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese rajonale, do të grumbullojmë lojtarët më të evidentuar nga këto ekipe rajonale dhe do t’i testojmë. Kësisoj u shtrojmë rrugën këtyre fëmijëve që kanë mundësi të vazhdojnë rrugëtimin në të gjithë ekipet kombëtare të moshave dhe pse t’i shohim një ditë duke na përfaqësuar edhe me Kombëtaren A”, – theksoi trajneri i përfaqësueses rajonale U-13.

Me krijimin e përfaqësueses së rajonaleve U-13 dhe së shpejti do të krijohet edhe përfaqësuesja e rajonaleve U-14, synohet që këto dy skuadra të jenë një mbështetje e madhe për ekipin Kombëtar U-15, që merr pjesë në kompeticione ndërkombëtare për t’u dhënë mundësinë futbollistëve shqiptarë të kësaj grup-moshe, jo vetëm atyre që luajnë jashtë, që të jenë pjesë e ekipeve tona kombëtare dhe që ato të ndihen më të motivuar.