Puntata e katërt e emisionit “Në Shtëpinë e Futbollit” u transmetua sot live në kanalin FSHF TV.
Nën drejtimin e Lenida Halilajt, të ftuar në studio ishin Drejtori i Departamentit të Eventeve në FSHF, Tritan Kokona, dhe gazetari i TV Klan, Gentjan Alinani.
Pjesa e parë e emisionit iu dedikua legjionarëve kuqezi, me një analizë të detajuar të performancës së tyre në arenën ndërkombëtare. Në qendër të diskutimeve ishin goli i parë i Medon Berishës në Serie A, realizimet e Jasir Asanit, Cristian Shendit, Indrit Tucit, si dhe asistet e Nazmi Gripshit dhe Taulant Seferit.
Në vazhdim, u diskutua edhe raporti financiar i UEFA-s për sezonin 2024–25, ku sipas të dhënave më të fundit, Shqipëria renditet në vendin e 27-të në Europë për bilancin neto të transferimeve, me +2.3 milionë euro të ardhura nga shitjet, kompensimet e trajnimit dhe pagesat e solidaritetit.
Ky rezultat tregon se klubet shqiptare kanë përfituar më shumë nga transferimet e lojtarëve sesa kanë shpenzuar për blerje, duke reflektuar rritjen e qëndrueshme të futbollit shqiptar dhe rolin e tij si eksportues talentesh.
Në krye të renditjes qëndrojnë Franca (+410 milionë €), Belgjika (+228 milionë €) dhe Gjermania (+227 milionë €), ndërsa Anglia ndodhet në vendin e fundit me –1.36 miliard €, për shkak të shpenzimeve shumë të larta për blerjen e lojtarëve nga klubet e Premier League, që tejkalojnë ndjeshëm të ardhurat nga shitjet.

Në pjesën e dytë të emisionit u trajtua suksesi i Kombëtares shqiptare të vajzave, e cila mposhti Qipron me rezultatin 3-0 në “Air Albania”, duke siguruar qëndrimin në Ligën B të UEFA Nations League.
Pjesa e fundit e programit iu kushtua investimeve infrastrukturore të FSHF-së.
U soll në vëmendje pjesëmarrja e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, në aktivitetin festiv “100 vjet Besa”, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të klubit sportiv “Besa”, ku u fol edhe për stadiumin e ri në Kavajë, një investim i përbashkët i FSHF-së dhe Bashkisë Kavajë.
Gjithashtu, u përmend projekti i kompleksit të ri sportiv në Laç, ku Presidenti Duka inspektoi nga afër punimet. FSHF në bashkëpunim me klubin e Laçit, po ndërton tre fusha futbolli me përmasa standarde (një me bar natyral dhe dy me bar artificial), tribunë kryesore, hotel, dhoma zhveshjeje, pishinë, parking dhe ambiente ndihmëse, që do të shërbejnë si qendër stërvitore për ekipet e moshave dhe kombëtaret rajonale.

















