Në puntatën e gjashtë të emisionit “Në Shtëpinë e Futbollit”, që transmetohet çdo të mërkurë live në FSHF TV, fokusi kryesor ishte te ndeshjet e kombëtares shqiptare në kualifikueset e Botërorit 2026, kundër Andorrës dhe Anglisë.
Nën drejtimin e Egi Duros, të ftuar në studio ishin gazetari Sokol Xhihani, ish-futbollisti dhe specialisti i futbollit, Erjon Xhafa dhe Drejtori i Departamentit të Kërkimit, Zhvillimit e Edukimit në FSHF, Alban Tafaj.
Në një lidhje live nga Andorra ishte e ftuar specialistja e PR, Lenida Halilaj, e cila bashkë me të ftuarit e tjerë në studio diskutuan mbi situatën në grupin K, formacionin e mundshëm të skuadrës tonë kundër Andorrës, realizimin e ëndrrës “play-off” dhe kundërshtarët potencialë.
Pjesë e temave të emisionit të sotëm ishin edhe rezultatet e ekipeve kombëtare të moshave U-17, U-19 dhe U-21. Shqipëria barazoi 1-1 me Holandën në ndeshjen e raundit të parë të kualifikueseve të Europianit U-17 ndërsa përfaqësuesja U-19 u mposht 3-0 nga Ukraina në takimin e parë në “Niko Dovana”. Në një lidhje live për emisionin, trajneri i kuqezinjve U-19, Julian Ahmataj foli për këtë humbje dhe për dy sfidat e radhës të Kombëtares.
Në një tjetër lidhje live nga Kroacia, Ardi Behari foli për barazimin 1-1 të Shqipërisë U-17 ndaj Holandës dhe shanset e kuqezinjve për t’u kualifikuar në Elite Round.
Sakaq, Kombëtarja U-21 luan nesër ndeshjen e parë miqësore kundër Moldavisë në transfertë, që do të transmetohet live në FSHF Tv.

















