Muçi dhe Uzuni golat e radhës kuqezi në Europë - FSHF

Muçi dhe Uzuni golat e radhës kuqezi në Europë

Sulmuesit e Kombëtares shqiptare kanë dhuruar performanca shumë pozitive këtë fundjavë, ku nuk kanë munguar edhe golat. Pas tre golëshit të Giacomo Vrionit në Bundesligën austriake, kanë ardhur edhe rrjetat e Ernest Muçit te Legia e Varshavës dhe Myrto Uzunit në Hungari me Ferencvaroshin, duke konfirmuar momentin e mirë që po kalojnë me klubet respektive.

Sulmuesi 20 vjeҫar i transferuar në Poloni nga Tirana arriti të shënojë golin e dytë për skuadrën e tij në humbjen që Legia e Varshavës pësoi në transfertë ndaj Gornik. Goli i Muçit ishte ai i barazimit të përkohshëm 2-2 për skuadrën e tij që doli e mposhtur me rezultatin 3-2 nga kjo transfertë. Ernest Muçi, i cili pak ditë më parë bëri edhe debutimin me fanellën kuqezi ndaj Andorrës, me këtë gol arrin në kuotën e 4 golave në 13 ndeshje në ligën polake.

Fundjavë e sukseshme ka qenë edhe për Myrto Uzunin, me beratasin që shënoi golin e tretë në fitoren 3-0 që skuadra e tij, Ferencvarosh, arriti ndaj  Mol Fehervar në kampionatin hungarez. Skuadra e tij kryeson kampionatin pas 12 ndeshjeve të zhvilluara, me Uzunin që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm me 6 golat e tij në 12 aktivizime.