Miqësoret me Maqedoninë e Veriut U-17, Kurti & Damini: Dy fitore na ngrenë moralin para Europianit - FSHF

Miqësoret me Maqedoninë e Veriut U-17, Kurti & Damini: Dy fitore na ngrenë moralin para Europianit

Ekipi Kombëtar U-17 vijon me përgatitjet intensive për dy ndeshjet miqësore që do të luajë në datat 12 dhe 14 shtator ndaj Maqedonisë së Veriut U-17. Siç është bërë e ditur, sfida e parë të luhet në Strugë në ora 15:00, ndërsa takimi i dytë mes dy përfaqësueseve do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” në ora 16:00.

Dy miqësoret ndaj fqinjëve maqedonas do t’i shërbejnë shumë trajneri Ervin Bulku dhe stafit teknik për të kolauduar skuadrën dhe për të testuar gjendjen e lojtarëve para ndeshjeve eliminatore të Europianit të moshës U-17 që luhen në muajin tetor.

Për dy miqësoret tekniku Bulku ka grumbulluar 24 lojtarë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë pjesë e këtij ekipi me 10 prej tyre që luajnë në kampionatet e huaja, ndërsa pjesa tjetër militojnë në klubet e kampionatit shqiptar.

Mbrojtësi kuqezi, Adi Kurti, i cili gjatë verës bëri hapin e madh të karrierës duke u transferuar te klubi i Sampdorias në Itali, vlerëson grupin e lojtarëve dhe beson se miqësoret me Maqedoninë e Veriut do të jenë mundësi mira për të përmirësuar ekipin para Europianit.

“Është kënaqësi e madhe të rikthehesh me ekipin Kombëtar U-17. Është gjithmonë një shtysë e madhe të luash me përfaqësuesen sepse përfaqëson kombin, por edhe familjen dhe i bën të gjithë krenarë. Prej dy vitesh kemi një grup lojtarësh që nuk ka ndryshuar shumë, jemi thuajse 80 % të njëjtët lojtarë në përbërje të skuadrës. Gati të gjithë aktivizoheshim në kampionatin shqiptar, ndërsa tani një pjesë e mirë e jona jemi transferuar në klube jashtë vendit. Personalisht jam optimist për grupin, kemi lojtarë mjaft cilësorë dhe besoj se do të marrim rezultate të mira. Nuk shoh asnjë arsye për të mos besuar në arritjen e objektivave, – thotë Kurti, teksa shton:

“Fitoret ndikojnë shumë te morali i ekipit dhe ne shkojmë në eliminatoret e Europianit me moral të lartë pasi kemi 6 ndeshje që nuk pësojmë asnjë humbje dhe do të synojmë maksimumin. E njohim mirë Maqedoninë e Veriut, pasi kemi luajtur ndaj tyre edhe dy vjet më parë në Kroaci. Kanë një ekip të fortë dhe ne do ta vlerësojmë me seriozitetin e duhur për të dhënë maksimumin në fushë”.

Sakaq, shtatlarti i mbrojtjes kuqezi komenton edhe ecurinë e tij te Sampdoria dhe zbulon objektivat që ka në aspektin personal në të ardhmen me ekipin e njohur italian.

“Në aspektin personal jam i lumtur te Sampdoria, po jap më të mirën time me klubin në dy vitet e ardhshme dhe shpresoj të bëj paraqitje sa më të mira me synimin për të luajtur në Serinë A shumë shpejt. Kam qenë me dhjetëra herë pjesë e stërvitjeve me ekipin e parë që kur u transferova te skuadra xhenoveze dhe trajneri Marco Giampaolo më ka vlerësuar shumë. Kemi që prej 13 korrikut që zhvillojmë stërvitje intensivisht me Sampdorian U-19, kampionati ka katër javë që ka nisur dhe renditemi aktualisht në vendin e gjashtë. Jemi të kënaqur me ketë ecuri dhe shpresoj të bëjmë më të mirën”, – u shpreh Kurti në prononcimin e tij për Fshf.org.

Ndërsa, mbrojtësi Aljon Damini, i cili aktivizohet me moshat e Teutës në kampionatin shqiptar, thekson se fitoret në këto dy ndeshje mund ta ndihmojnë shumë Kombëtaren U-17 në aspektin e moralit para sfidave zyrtare të tetorit.

“Ky nuk është grumbullimi im i parë me ekipet kombëtare të moshave, kam qenë edhe herë të tjera pjesë e skuadrave kuqezi. Po stërvitemi intensivisht në Pogradec dhe shoh që gjendja e ekipit është shumë e mirë. Uroj shumë që në dy ndeshjet miqësore me Maqedoninë e Veriut të bëjmë një paraqitje sa më të mirë që të ngremë edhe moralin e grupit para ndeshjeve eliminatore të Europianit në tetor. Patjetër që fitorja na ndihmon shumë në aspektin e moralit, por janë sfida që na ndihmojmë shumë të konsolidojmë grupin dhe të mësohemi me lojën e njëri-tjetrit”, – thotë Damini.

Mbrojtësi durrsak, si lojtar i kampionati shqiptar, ka vlerësuar edhe nismën e FSHF-së që do të pajisë me uniforma falas duke nisur nga ky sezon të gjithë lojtarët e moshave në Shqipëri.

“Vlerësoj shumë nismën e re të FSHF-së, projektin Uniforma Ime, që do të pajisë me unfiroma falas të gjithë lojtarët e moshave në kampionatin shqiptar, u jep mundësi të gjithëve, edhe atyre që nu kanë mundësi ekonomike, që të marrin bazën materiale falas dhe kjo është ndihmë e madhe për këdo. Objektivat? Sigurisht do të doja shumë që në të ardhmen të bëhem pjesë e ekipit Kombëtar A dhe të transferohem në një klub shumë ë mirë jashtë vendit”, – u shpreh Damini për Fshf.org.

Ky grup lojtarësh pritet të përfaqësojë Shqipërinë në kualifikueset e Europianit U-17, ku kombëtarja është shortuar në të njëjtin grup me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin. Ndeshjet do të zhvillohen në formën e një mini-turneu në Kroaci në muajin tetor, përkatësisht në datat 20, 23 dhe 26 tetor 2022.


Duke kontrolluar karten...