Mesazhi i Presidentit Duka në prag të nisjes së sezonit: Gati për një edicion të suksesshëm e me shumë risi!    - FSHF

Mesazhi i Presidentit Duka në prag të nisjes së sezonit: Gati për një edicion të suksesshëm e me shumë risi!   

Në prag të nisjes së edicionit të ri futbollistik, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një mesazh për të gjitha klubet, futbollistët dhe aktorët e përfshirë, duke uruar për një sezon sa më të suksesshëm dhe të mbushur me emocione.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar shprehet se do të startohet me projekte dhe risi konkrete për zbatimin e strategjisë “Futbolli për Kombin” që e shpallëm në shkurt të këtij viti e që do jetë busulla jonë e orientimit për 4 vitet në vazhdim.

Gjithashtu, Presidenti Duka thekson mbështetjen akoma dhe më të madhe që FSHF do të japë për klubet, futbollin e fëmijëve, incentivimin financiar për të rinjtë, ofrimin e bazës materiale për të gjitha akademitë përmes projektit Uniforma Ime, futbollin amator, etj.

Për Dukën, Federata Shqiptare e Futbollit do të jetë përherë e për këdo një portë e hapur mbështetjeje dhe lançuese e sfidave në drejtim të forcimit të klubeve tona, teksa shton se është i bindur që reformat e ndërmarra do të sjellin rezultate të shpejta kombëtare dhe masivizim të lojës së bukur të futbollit.

 

Mesazhi i plotë i Presidentit Duka

 

Të dashur futbollistë, futbolliste, trajnerë, mjekë e përgatitës atletikë, zyrtarë e të gjithë ju që jeni pjesë e skuadrave të futbollit!

Të dashur tifozë brenda vendit e jashtë kufijve!

Nisim këtë fundjavë rrugëtimin e përbashkët të emocioneve dhe adrenalinës, garës së “Abissnet Superiore”. Pak më vonë atë të Kategorisë së Parë, të dytë, të vajzave e kështu me radhë me moshat e amatorët!

Do të fillojmë me Superioren, por vëmendja e kujdesi i Federatës Shqiptare të Futbollit janë të përqendruara maksimalisht në çdo nivel të garave!

Do të startojmë me projekte dhe risi konkrete për zbatimin e strategjisë “Futbolli për Kombin” që e shpallëm në shkurt të këtij viti e që do jetë busulla jonë e orientimit për 4 vitet në vazhdim.

Por cilat janë ato risi?

– Kategoria Superiore nga ky vit ka dyfishuar të ardhurat nga e drejta e transmetimit. Përpos kësaj, vazhdon mbështetja me topa falas për çdo skuadër.

Për herë të parë gjatë këtij sezoni dhe në vazhdim, do të japim falas materiale stërvitore dhe uniforma, për çdo ekip të rinjsh.

– Kampionatet kombëtare të të rinjve do të jenë në të njëjtën linjë me të rriturit, 10 skuadra në Superiore, dhe 14 në Kategorinë e Parë.

Ky proces i debatuar, por i domosdoshëm, është bërë sipas kushteve të licencimit për çdo klub e akademi. Kjo reformë synon t’i japë peshën e duhur profesionistëve, dhe hapësirën e duhur të rinjve.

Për herë të parë në historinë tonë të futbollit, Kupa e Shqipërisë dhe Kategoria e Parë janë sponsorizuar duke siguruar të ardhura modeste me tendencë rritjeje për sezonet në vijim.

Për herë të parë FSHF do të financojë me para “cash” aktivizimin e çdo futbollisti të ri nga 16 deri 20 vjeç në skuadrat profesioniste!

– Po kështu edhe shumë nisma dhe projekte te tjera për të mbështetur klubet për një organizim më të mirë, infrastrukturë më të mirë e për më shumë të ardhura. Është sezoni i tretë që FSHF ka rritur vëmendjen për futbollin amator, futbollin për të gjithë, duke organizuar gara për formatet 5×5, 6×6, 9×9 në të gjithë Shqipërinë. Objektivi i këtij viti është trefishimi i numrit të lojtarëve amatorë. Këto janë projekte të prekshme që nga ky vit, ndërkohë që FSHF do të vazhdojë të këmbëngulë për mbështetjen me bazë ligjore të domosdoshme në bashkëpunim edhe me qeverinë shqiptare për t’i shërbyer rritjes së nivelit të garave dhe futbollit në Shqipëri.

Në këto gara nuk do të luajnë vetëm lojtarët, por si përherë edhe skuadra e arbitrave është pjesë e saj! Sa më shumë angazhim e përqendrim në minimizimin e gabimeve në fushë. Seriozitet maksimal nga gjithsecili që ka bilbilin, në të njëjtën kohë, qetësi e gjakftohtësi nga protagonistët për të bërë një garë të bukur dhe sportivisht të luftuar!

Nuk do të harroja kurrsesi pjesën më të bukur të garës, lojtarin e 12-të, tifozeritë, ata të cilët do ti japin jehonë garave tona. Jam i bindur se do të ruajnë nivelin e lartë për një skenografi sa më brilante në stadiumet tona, natyrisht edhe me vetëpërmbajtjen e pashmangshme duke e shoqëruar garën me emocion e atraksion!

Nuk mund të lë pa përmendur mediat, gazetarët, kritikët tanë të fushës dhe sensibilizuesit më të mëdhenj të produktit tonë. Do t’ju dëgjojmë me vëmendje, do përpiqemi të marrim më të mirën e të punojmë bashkërisht dhe këtë sezon.

Federata Shqiptare e Futbollit do të jetë përherë e për këdo një portë e hapur mbështetjeje dhe lançuese e sfidave në drejtim të forcimit të klubeve tona!

Personalisht jam i bindur se reformat e ndërmarra do të sjellin rezultate të shpejta kombëtare dhe masivizim të lojës së bukur të futbollit.

Të gjithë bashkë të mbështesim futbollin për gara më të bukura. Dhe pse jo, edhe për një edicion më të mirë europian të klubeve tona.

Ju përcjell në emër të FSHF-së shumë suksese në këtë sezon të ri që po nisim, shumë Fair-Play dhe respekt për të gjithë!

Suksese të gjithëve aktorëve dhe faktorëve në këtë sezon të ri futbollistik!