Mbyllja e Superiores, Presidenti Duka: Vit i vështirë, i lumtur që rikthyem futbollin - FSHF

Mbyllja e Superiores, Presidenti Duka: Vit i vështirë, i lumtur që rikthyem futbollin

Në përfundim të ndeshjes KF Tirana- KF Bylis, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një prononcim për emisionin “Gol pas Goli”, në “Supersport”.
Duke bërë një analizë të sezonit, Presidenti Duka u shpreh se klubi i Tiranës e ka merituar këtë titull kampion, ndërsa ka përgëzuar edhe ekipet e tjera për kampionatin e zhvilluar.

Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollit i ka falënderuar të gjithë, që nga sportistët e deri te mjekët e policia e shtetit, të cilët bënë të mundur, që jo vetëm Kategoria Superiore, por të gjithë kampionatet të mos pezulloheshin për shkak të pandemisë por të vazhdonin.

– President, një titull kampion i Tiranës dhe e ke thënë që në ditën e parë kur u emërove president i Federatës “Kush del kampion, e meriton!”

– Duket si gjë e përsëritur, por besoj, nëse çdo sportdashës, çdo opinionist sportiv do t’i rendiste me laps skuadrat, duke parë, ai që e ka ndjekur kampionatin, ai që e di se çfarë kontributi kanë dhënë, nuk mendoj se do të ndryshonte shumë në këtë renditje.
Tirana e ka merituar kampionatin, sikurse e kanë merituar të gjithë skuadrat e tjera renditjen. Kukësi e ka rivalizuar deri në një moment, por në dy fazat e dyta, Tirana është shkëputur dhe pothuajse e ka udhëhequr me bindje kampionatin. Dhe skuadrat e tjera e kanë merituar, nga i pari tek i fundit, qoftë Kukësi, Teuta, Skënderbeu, Laçi dhe ato që fatkeqësisht do të luajnë vitin tjetër në Kategorinë e parë, Luftëtari dhe Flamurtari.

– Ku e klasifikon si sezon për mënyrën se si është zhvilluar, rivaliteti, ndeshjet…

– Shiko, ky është sezon i veçantë, i vështirë, shumë i vështirë, jo vetëm sportivisht, por sepse ne kemi kaluar disa ngjarje të pazakonta dhe që uroj që mos të na përsëriten kurrë.
Kemi kaluar një tërmet tragjik në nëntor, që patjetër ka ndikuar në klubet dhe futbollistët. Kemi kaluar situatën e pandemisë, e cila na vuri në dyshim nëse do të vazhdonte apo jo ky kampionat, kështu që duhet të jemi të lumtur dhe t’i urojmë dhe t’i falenderojmë të gjithë ata që kanë bërë të mundur që ta mbyllim këtë kampionat, sportistët, futbollistët, trajnerët, mjekët që na kanë ndihmuar shumë, Ministria e Shëndetësisë, policia, gjithkush na ka ndihmuar, që sporti të mos fiket dhe mos të mbyllet në Shqipëri si një nga fushat më të rëndësishme të jetës, jo vetëm për garën, por edhe për shëndet. Sepse nuk kemi bërë vetëm kampionatin e Kategorisë Superiore, por kemi përfunduar të gjitha garat qoftë edhe të fëmijëve, si rrallë vende të tjera të Europës, kështu që për ne kjo është shumë e rëndësishme. Gjithashtu, nga pikëpamja sportive, siç thashë, kampionati ka qenë i bukur, ka pasur ndeshje vërtëtë shumë të bukura, por fatkeqësisht, në momentin më të bukur tonin, në një stadium si ky, në të cilin, në një derbi me 20 mijë spektatorë, që nuk kishte ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, na filloi pandemia dhe na e ndërpreu.
Do ishte shumë bukur që sot këtë titull Tiranës apo këtë festë të përfundimit të kampionatit t’i kishim edhe tifozët në stadium, sepse në fund të fundit, futbolli është për ata që e shikojnë dhe e mbështesin. Por gjithsesi, fatkeqësisht, e kanë ndjekur dhe nga ekranet e televizorëve.