Mbyllet java e 7-të e Kampionatit Kombëtar të Femrave, Apolonia në ndjekje të Vllaznisë - FSHF

Mbyllet java e 7-të e Kampionatit Kombëtar të Femrave, Apolonia në ndjekje të Vllaznisë

Të dielën është mbyllur java e shtatë e kampionatit kombëtar të femrave, me katër ndeshje që janë luajtur ditën e shtunë dhe Kinostudio-Partizani e Vllaznia-Teuta që u luajtën ditën e sotme. Në të dyja sfidat kanë triumfuar skuadrat vendase, respektivisht 6-2 dhe 8-0.

Të shtunën Tirana AS që mban vendin e tretë në renditje triumfoi në Korçë ndaj Skëndërbeut 5-1 falë tripletës së Jehona Çokajt dhe dy golave të Trokës. Për vajzat korçare shënoi Repa që ngushtoi përkohësisht rezultatin në 1-2 por më pas nuk mundën të ndalin dot skuadrën e Petrit Haxhiajt që shënoi dhe tre gola.

Tirana priste në shtëpi Juban Danjan në një duel të fortë që pa triumfuese vajzat bardheblu me rezultatin 5-3. Tirana e fillon në sulm dhe gjen golin e parë në minutën e 16-të me Vishkullin. Stafetën e merr Kesjana Goro që shënon tre gola rradhazi në minutat 25’, 60’ dhe 62’. Kur gjithçka dukej e sigurtë reagon Juban Danja që shënon tre gola me anë të Cakas në të 71-tën dhe Selimit në minutat 71 dhe 73. Për të vulosur rezultatin final 5-3 mendon Vishkulli në minutën e 88-të, duke regjistruar dhe dopietën personale.

Në stadiumin “Roza Haxhiu” të qytetit të Lushnjes vendasit prisnin Bilisht Sportin, me të dy skuadrat që ndodheshin në kuotën e zero pikëve. Lagunaret arritën fitoren e parë në histori në kampionatin e femrave ku marrin pjesë për herë të parë. Ndeshja u mbyll me fitoren 2-0 falë golave të Nexhës në minutën e 51 dhe S.Nexhës në minutën e 78-të. Bilisht Sport duhet të presë ende për të marrë pikët e para në këtë kampionat.

Vllaznia kryeson kampionatin me 21 pikë pas shtatë javëve të para. Apolonia renditet në vendin e dytë vetëm tre pikë larg. Tirana AS dhe Tirana ndajnë vendet 3 dhe 4 në kuotën e 16 pikëve. Me 15 pikë Juban Danja renditet e pesta vetëm 3 pikë përpara Kinostudios së vendit të gjashtë. Partizani renditet në vendin e 7-të me 9 pikë të grumbulluara po aq sa AAS.  Skëndërbeu, Teuta dhe Lushnja në kuotën e 3 pikëve në renditjen e përgjithshme e cila mbyllet me Bilisht Sportin në kuotën e 0 pikëve.

Rezultatet e javës së shtatë:
E shtunë / Lushnja-Bilisht Sport 2-0
E shtunë / Tirana-Juban Danja 5-3
E shtunë / Skëndërbeu-Tirana AS 1-5
E shtunë / Apolonia-AAS 14-0
E diel / Kinostudio-Partizani 6-2
E diel / Vllaznia-Teuta 8-0

Vllaznia 21
Apolonia 18
Tirana AS 16
Tirana 16
Juban Danja 15
Kinostudio 12
Partizani 9
AAS 9
Teuta 3
Skëndërbeu 3
Lushnja 3
Bilisht Sport 0