Mbrëmja gala, Federata uron festat - FSHF

Mbrëmja gala, Federata uron festat

Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar mbrëmjen gala me rastin e festave të fundvitit. Të ftuar ishin personalitete të jetës së futbollit, përfaqësues të jetës publike, mediave, etj. Nën tingujt e muzikës klasike të formacionit muzikor “Tirana Kafe Koncert” dhe me moderimin e aktorit të mirënjohur Arben Derhemi dhe zëdhënëses së FSHF-së, Jona Dervishi, ceremonia nisi me një përmbledhje të suksesit të futbollit shqiptar për vitin 2016, që kulmoi me pjesëmarrjen e Kombëtares në finalet e “EURO Francë 2016”. Më pas fjalën e mori presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili pasi vlerësoi arritjet e këtij viti historik dhe shpalli objektivat për të ardhmen, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe dialogut brenda familjes për problemet që përjeton futbolli shqiptar. “Ju bëj thirrje që në mënyrë institucionale dhe brenda familjes, të nxisim debatin konstruktiv me njëri-tjetrin, të denoncojmë fenomenet negative. Kjo gjë bëhet me durim dhe qetësi. Anëtarët e familjes tonë, as për interesa momentale dhe as për të kënaqur shijet e të tjerëve, nuk duhet të dëmtojnë as lojën e as shtëpinë e vet, Federatën”, – tha ndër të tjera Presidenti Duka. Më tej ceremonia me dorëzimin e disa çmimeve për figura të njohura të futbollit shqiptar. Me titullin “Nderi i Futbollit Shqiptar” u dekoruan Safet Berisha (pas vdekjes) dhe Vasillaq Zëri. Me titullin “Legjenda e Futbollit Shqiptar” u dekoruan Mirel Josa, Bardhyl Jera,Ilir Shulku, Robert Jashari, Artan Bushati (pas vdekjes) dhe Roland Luçi. Me titullin “Pllakatë” u nderuan Koço Dinella, Pavllo Bukoviku, Roza Haxhiu, Vladimir Ajazi, Roland Iljadhi. Gjithashtu, është vlerësuar me mirënjohje për kontributin e dhënë edhe kanali Supersport. Me titullin “Medalje” është vlerësuar ekipi Kombëtar Shpresa, kampione e Ballkanit në vitin 1978. Atë e kanë merituar Perlat Musta, Ferid Rragami, Halit Gega, Sulejman Starova, Agustin Kola, Andrea Marko, Haxhi Ballgjini, Arben Minga (pas vdekjes), Shyqyri Ballgjini, Dashnor Bajaziti, Ferdinand Lleshi dhe Hasan Lika; trajnerë Shyqyri Rreli dhe Ramazan Rragami. Në fund çeku prej 2 milione lekësh dhe “Topi i Artë” i është dorëzuar bomberit të Skënderbeut, Hamdi Salihi. Mbrëmja gala është shoqëruar edhe nga performanca e shkëlqyer e këngëtarëve Manjola Nallbani dhe atyre lirikë Armando Likaj dhe Arlinda Morava.