Është mbledhur sot paradite, nën drejtimin e Presidentit të FSHF, Armand Duka, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili ka miratuar disa vendime të rëndësishme.
Jane miratuar datat për fillimin e kampionateve, të Kategorisë Superiore, të Kategorisë së Parë, të Kategorisë së Dytë dhe të moshave U-17,U-19. Kampionati i Kategorisë Superiore, do të nisë më 7 shtator. Janë miratuar gjithashtu edhe struktura e re e Kategorisë së Parë dhe të kategorise se Dytë.
Faza e tretë e të dy kampionateve, do të zhvillohet në këtë mënyrë: Pas përfundimit të dy fazave të para, skuadrat do të ndahen në dy grupime (me nga pesë skuadra në Kategorinë e Parë) dhe (me nga gjashtë skuadra në Kategorinë e Dytë).
Të parat, do të luajnë për të përcaktuar ekipet që ngjiten një kategori më lart, ndërsa grupimi i dytë për të përcaktuar skuadrat që do të zbresin një kategori më poshtë. Pikët e grumbulluara në dy fazat e para, do të përgjysmohen në fazën e tretë, duke i dhënë mundësinë ekipeve që të ngjeshen në renditje. Ky ndryshim bëhet që kampionati të ketë sa më shumë rivalitet dhe gara të jetë e ndezur deri në javën e fundit.
Superkupa e Shqipërisë, midis skuadrave të Skënderbeut dhe Kukësit do të luhet në Shkodër, më datë 24 gusht. Kjo do të jetë edhe ndeshja që do të inagurojë stadiumin e ri.
Është miratuar skema për Kupën e Shqipërisë për sezonin 2016-2017. Po kështu, është miratuar edhe skema e Kupës së Shqipërisë për këtë edicion edhe për moshat U-17 dhe U-19.

















