Mbahen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së, anëtarët marrin vendime të rëndësishme & miratojnë raportet financiare - FSHF

Mbahen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së, anëtarët marrin vendime të rëndësishme & miratojnë raportet financiare

Në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit, përveç zgjedhjes së Presidentit dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv për katër vitet e ardhshme, delegatët votuan edhe për disa çështje të tjera të rëndësishme në rendin e ditës.

Sipas procedurës, Presidenti Armand Duka ftoi kryetaren e Komisionit të Verifikimit, znj. Rozeta Shira, për të raportuar mbi vlefshmërinë e mbledhjes. Ajo deklaroi se nga 48 delegatë gjithsej, në Asamble ishin të pranishëm të 48 delegatët e klubeve dhe shoqatave anëtare, duke konfirmuar kuorumin e plotë. Gjithashtu u theksua se thirrja e Asamblesë është kryer në përputhje me Statutin dhe Rregulloren përkatëse, brenda afateve të përcaktuara, të paktën 30 ditë përpara zhvillimit të saj. Komisioni i Verifikimit konstatoi zyrtarisht se procesi ishte zhvilluar në përputhje të plotë me dispozitat statutore.

Në vijim, sipas Statutit, anëtarët e Asamblesë miratuan rendin e ditës dhe proceduan me zgjedhjen e delegatëve verifikues të procesverbalit, ku Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku propozoi Alban Xhaferaj, Sonila Çekrezi dhe Florian Biba, të cilët u votuan nga delegatët. Po ashtu, u miratuan edhe vëzhguesit e Asamblesë: Besnik Kapllanaj, Marjus Sula dhe Ilirjan File.

Më tej, Asambleja vendosi të miratojë procesverbalin e mbledhjes së datës 25.06.2025, si dhe raportin e aktivitetit të federatës ndërmjet dy asambleve. Me unanimitet të plotë u miratuan pasqyrat financiare të audituara, individuale dhe të konsoliduara, për periudhën 01.01.2025 deri më 31.12.2025, ratifikimi i buxhetit për vitin 2026 dhe buxheti për vitin 2027.

Gjithashtu, me propozim të Komitetit Ekzekutiv, Asambleja vendosi emërimin e shoqërisë “RSM Albania shpk” si auditues të pavarur dhe të jashtëm për auditimin e pasqyrave financiare të vitit 2026.


Duke kontrolluar karten...