Pak ditë më parë, Federata e Futbollit zyrtarizoi marrëveshjen me “Sixtus Italia”, si sponsor zyrtar i FSHF-së.
Kompania italiane, e cila është lidere në treg dhe e njohur për produktet e saj të specializuara në mjekësinë sportive dhe rikuperimin e sportistëve, do të furnizojë ekipet Kombëtare me produkte për trajtim, fizioterapi dhe mirëqenie fizike.
Për të folur mbi këtë marrëveshje, Arzen Voci, drejtori teknik i klinikës së Kombëtares, dha një prononcim për fshf.org . Ai theksoi rëndësinë e materialeve cilësore ndihmëse në procesin e rikuperimit të sportistëve, duke vlerësuar bashkëpunimin e FSHF-së me “Sixtus Italia”, që ofron produkte të standardeve të larta, të cilat ndihmojnë si stafin mjekësor ashtu edhe vetë lojtarët në trajtimin dhe rikuperimin e tyre.
“Në punën tonë si fizioterapistë, sidomos në drejtimin sportiv, në kuadër të trajtimit të problematikave të ndryshme, shumë shpesh në procedurat tona të rikuperimit na duhen edhe materiale ndihmëse sportive të ndryshme. Sa më të mira këto materiale aq më mirë na del në pah edhe puna jonë dhe për këtë, në fakt, ne te klinika e Kombëtares jemi me fat nga bashkëpunimi që FSHF ka me Sixtus Italia. Kemi nga produktet më të mira, edhe sportistët dhe tregu vetë është mësuar me këtë gamë dhe e ndjejnë edhe ata vetë dhe e kërkojnë këtë lloj cilësie”, – tha Arzen Voci.

















