Liga e Kombeve/ Shqipëria luan ndeshjen e dytë ndaj Izraelit - FSHF

Liga e Kombeve/ Shqipëria luan ndeshjen e dytë ndaj Izraelit

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar mbrëmjen e sotme ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve ndaj Izraelit në stadiumin “Air Albania”. Kuqezinjtë e drejtuar nga Edy Reja janë mundur me rezultatin 2-1 nga izraelitët, duke u përmbysur në fraksionin e dytë të lojës.

Shqipëria e nisi ndeshjen me këtë formacion: Berisha, Gjimshiti, Ismajli, Veseli, Balliu, Hysaj, Abrashi, Asllani, Bajrami, Broja, Uzuni. Gjithçka nisi mirë për kuqezinjtë, të cilët krijuan disa raste, ndërsa gjatë pjesës së parë, teksa arbitri kryesor akordoi një penallti, VAR-i e anulloi. Pak minuta më vonë, është Ivan Balliu ai i cili arrin të fitojë një penallti, që e goditur saktë nga Broja kalon në avantazh Shqipërinë, me kuqezinjtë që i drejtohen dhomave të zhveshjes me kënaqësinë e epërsisë.

Me nisjen e pjesës së dytë, izraelitët u treguan më të saktë, duke realizuar dy gola dhe duke marrë kështu tre pikët në stadiumin “Air Albania”. Solomon ishte autori i të dy golave, fillimisht në minutën e 58-të, ndërsa golin e dytë në të 73-n minutë. Dy minuta më vonë, Hysaj shënoi për Shqipërinë duke barazuar shifrat, por është sërish VAR-i ai që anulon golin, me mbrojtësin që ishte në pozicion të parregullt. Kuqezinjtë tentuan të gjenin golin e barazimit në 15 minutat e mbetura, por rezultati mbeti i pandryshuar. Edy Reja bëri disa ndryshime në formacion gjatë pjesës së dytë, duke hedhur në fushë Ramadanin, Gjasulën, Balaj, Çekiçin, Vrionin për Asllanin, Bajramin, Uzunin, Veselin dhe Abrashin.

Shqipëria do të rikthehet të luajë sërish ndeshjet e Ligës së Kombeve në muajin shtator, fillimisht në transfertë ndaj Izraelit e më pas do të luajë në shtëpi ndaj Islandës. Sakaq, ditën e hënë, Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë një miqësore ndaj Estonisë, në ora 18:00 në stadiumin “Air Albania.

 

Shqipëri 1-2 Izrael

Shqipëria: Berisha, Ismajli, Gjimshiti, Veseli (Veseli 84’), Balliu, Abrashi (Vrioni 84’), Bajrami (Gjasula 67’), Asllani (Ramadani 59’), Hysaj, Uzuni (Balaj 84’), Broja.

Trajner: Edoardo Reja

Izraeli: Marciano, Leidner, Goldberg, Vitor, Dasa, Peretz, Jaber, Karzev, Solomon, Weissman, Abada

Trajner: Alon Hazan


Duke kontrolluar karten...