Liga e Kombeve / Shqipëria e nis mirë edicionin, merr një pikë në transfertën e Islandës - FSHF

Liga e Kombeve / Shqipëria e nis mirë edicionin, merr një pikë në transfertën e Islandës

Shqipëria ka barazuar ndaj Islandës në ndeshjen e parë të vlefshme për kompeticionin UEFA Nations League.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Edoardo Reja nuk kanë  shkuar më tepër se barazimi 1-1 në transfertën kundër ishullorëve, pavarësisht lojës së mirë që dhuruan përgjatë 90 minutave.

Ekipi e nisi vrullshëm lojën, me disa aksione të krijuara teksa arriti të marrë kryesimin me Taulant Seferin në minutën e 30-të. Një aksion shumë i mirë nga kuqezinjtë, që nisi nga këmbët e Abrashit, i cili tentoi portën, me topin që grushtohet nga portieri rival, por Seferi gjendet mirë në zonë, duke shtyrë topin dhe duke i dhuruar avantazhin Shqipërisë.

Gjithçka u barazpeshua në minutën e 49-të, pas një gabimi në mbrojtjen kuqezi, me Gjimshitin i cili “dhuron” një top për kundërshtarin, që përfiton duke e dërguar topin në rrjetë.

Ekipi nuk tërhiqet nga barazimi, por kërkon me patjetër të gjejë sërish epërsinë. Menjëherë pas barazimit, Cikalleshi tenton në një aksion duke pasuar për Gjasulën e më pas Balliu për Seferin, por topi nuk hyn në rrjetë. Reja vendos të freskojë mesfushën, me Çekiçin, Cikalleshin e Seferin të cilët lënë fushën duke u zëvendësuar nga Asllani, Balaj dhe Vrioni në minutën e 74-t, e pak minuta më vonë, del Abrashi për Ramadanin dhe Balliu për Veselin.

Skuadra tentoi edhe disa raste, kontrolloi mirë lojën, por rezultati nuk ndryshoi, duke u mbyllur kështu me shifrat 1-1, me golin e vetëm të realizuar nga kuqezinjtë në minutën e 30-të nga Taulant Seferi.

Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen e dytë për këtë kompeticion më 10 qershor ndaj Izraelit në stadiumin “Air Albania”, duke nisur në ora 20:45.

Islandë 1-1 Shqipëri

Golat: Thorsteinson 49’/ Seferi 30’


Shqipëria
: Berisha, Balliu, Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti, Hysaj, Gjasula, Abrashi, Çekiçi, Seferi, Cikalleshi.
Trajner: Edoardo Reja

Islanda: Runarson, Sampsted, Gretarson, H. Magnuson, Olafson, Helgason, Bjarnason, Johaneson, Sigurdson, Gudjonsen, Torsteinson.

Trajneri: A Vidarson


Duke kontrolluar karten...