Liga e Kampioneve / Vllaznia barazon dhe shpreson te kualifikimi historik në fazën e grupeve - FSHF

Liga e Kampioneve / Vllaznia barazon dhe shpreson te kualifikimi historik në fazën e grupeve

Vllaznia e femrave ka barazuar sot 1-1 me Vorskla Kharkiv-2 ndeshjet e parë të fazës së play-off të Ligës së Kampioneve, që u luajt në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Një rezultat pozitiv që i jep shpresa Vllaznisë për t’u kualifikuar në ndeshjen e dytë që do të luhet pas një jave po në stadiumin e Shkodrës.

Vllaznia e nisi ndeshjen me këtë formacion: Williams-Mosier, Kloss, Knox, Gjergji, Maliqi, Franja, Berisha, Cavanaugh, Doçi, Patterson dhe Veronica.

Pjesa e parë ka qenë e balancuar me skuadrat që kanë nuk rrezikur dhe kanë studiuar njëra-tjetrën. Me fillim e pjesës së dytë Vllaznia nis të kërkoj golin dhe e gjen atë në minutën e 54-t, kur Megi Doçi finalizon me sukses një aksion mjaft të bukur të vajzave kuqeblu, duke goditur me një diagonale të saktë brenda zonës dhe duke e dërguar topin në rrjetë.

Skuadra ukrainase nuk dorëzohet por reagon mirë dhe në minutën e 66-të gjyqtarja Georgieva akordon një 11-metërsh për Vorsklan. Nga pika e bardhë godet Kalinina, por portieria Williams-Mosier grushtoi topin, që megjithatë mbeti në zonë me Kravchuk që pëfitoi duke e shtyrë në rrjetë dhe duke barazuar shifrat.

Deri në fund rezultati nuk ndryshon pavarësisht rasteve të pakta për gol. Nëse fiton në ndeshjen e dytë Vllaznia do të korrte një sukses historik duke u kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve për femra.