Kursi i trajnerit të përgatitjes atletike / Laurenti: Impakti pozitiv, krenar që FSHF ka nivel të lartë organizimi - FSHF

Kursi i trajnerit të përgatitjes atletike / Laurenti: Impakti pozitiv, krenar që FSHF ka nivel të lartë organizimi

Federata Shqiptare e Futbollit po organizon prej disa javësh kursin për trajnerin e përgatitjes atletike, një figurë kyçe e stafit teknik në futbollin e sotëm e që është bërë një rol thelbësor për çdo klub profesionist. Kursi udhëhiqet nga stafi i sektorit të përgatitjes atletike në Drejtorinë e Edukimit të FSHF, Luigi Febbrari, Luca Laurenti dhe Iris Selimi.

Përmes një niveli të mirë organizimi, Federata ka vënë eksperiencën e saj në dispozicion të gjithë të interesuarve, të cilët duan të formohen profesionalisht për t’u marrë me këtë profesion në të ardhmen.

Duke folur për Fshf.org, Luca Laurenti shprehet se kjo është një mundësi e shkëlqyer për ata që dëshirojnë të bëjnë karrierë në profesionin e përgatitësit atletik, figurë gjithmonë e më e kërkuar në sportin ndërkombëtar.

Laurenti, i cili është njëkohësisht edhe një nga trajnerët e përgatitjes atletikë të Kombëtares shqiptare, shprehet i kënaqur për ecurinë e deritanishme të kursit, teksa evidenton edhe faktin se këtë herë në kurs merr pjesë edhe një vajzë, e cila synon të bëhet trajnerë e përgatitjes atletike. Për Laurentin ky fakt është i rëndësishëm si shembull për përfshirjen gjithmonë e më shumë të femrave në botën e futbollit.

“Ne në Sektorin e Përgatitjes Fizike në FSHF, pra Luigi Febbrari, unë dhe Iris Selimi, mund të them që jemi të kënaqur për ecurinë e kursit të dytë për trajnerin e përgatitjes atletike në futboll. Sapo kemi përmbyllur javën e dytë të kursit dhe kanë mbetur edhe tre javë të tjera, kështu që rruga që kemi për të bërë është akoma e gjatë, por plot me zhvillime interesante.
Jemi të kënaqur edhe nga pjesëmarrësit dhe reagimet e tyre janë mjaft pozitive, si nga kursantët ashtu edhe nga profesorët që japin leksione. Kursantët kanë qenë mjaft aktivë dhe të hapur për të marrë sa më shumë njohuri mbi metodologjinë që përdoren në fushën e përgatitjes fizike në futboll. Gjithashtu jemi të kënaqur që kemi mes pjesëmarrësve dhe një vajzë, e cila synon të bëhet trajnere e përgatitjes atletike, dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse përfshirja e femrave në botën e futbollit duhet të rritet vazhdimisht dhe kjo prezencë është mëse e mirëpritur”, – shprehet ai.

Më tej, Luca Laurenti vlerëson edhe praninë e disa pjesëmarrësve nga Kosova, një tjetër shenjë e qartë që konfirmon se FSHF-ja shihet si partner i besueshëm dhe në gjendje të organizojë kurse të një niveli të lartë ndërkombëtar, me lektorë të njohur të cilët kanë ofruar eksperiencën e tyre të madhe për pjesëmarrësit.

“Po ashtu një tjetër aspekt pozitiv është fakti se në këtë edicion kemi katër djem nga Kosova, që do të thotë se edhe federatat e tjera mbështeten tek eksperienca dhe profesionalizmi që ofron Federata Shqiptare e Futbollit dhe ky është motiv krenarie për ne dhe për federatën, që është në gjendje të organizojë kurse të nivelit të tillë dhe u jep mundësi edhe federatave të tjera të rajonit që të dërgojnë pjesëmarrës për t’u rritur profesionalisht.
Kemi pasur nderin të kemi emra të rëndësishëm në rrafshin ndërkombëtar të përgatitjes atletike si lektorë gjatë këtyre dy javëve. Përveçse janë trajnerë të njohur të përgatitjes atletike në futbollin ndërkombëtar, janë edhe profesorë shumë të mirë të fushës. Nga Italia, kishim profesor Riccardo Capanna-n, i cili ka prezantuar çështjen e neuro-shkencave, një fushë që studiohet dhe është thelbësore. Kemi pasur profesorë të tjerë si Ferretto Ferretti-n e Koverçianos, Francesco Perondi, Roberto Sassi, një nga emrat më të spikatur të përgatitjes atletike italiane, profesor Andrea Azzalin, i cili ka shpjeguar metodologjinë që përdoret në kampionatet më të mira në Europë”, – shton Laurenti.

Sakaq, Luca vlerëson edhe të gjithë sektorët e federatës që kanë kontribuar në organizimin sa më të mirë të këtij kursi.

“Javën e ardhshme do të nisim edhe me emrat ndërkombëtar, si për shembull të hënën do të jetë i pranishëm me ne trajneri i përgatitjes atletike të PSG-së, Sebastiano Pocchettino, e më pas do të kemi Darcy Norman, por edhe përgatitësit atletikë të Barcelonës dhe kombëtares së Spanjës.
E theksoj, se jemi të kënaqur, shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë, ashtu siç ka ndodhur deri më tani. FSHF po na mbështet dhe po na ndihmon shumë, kështu që dua të falënderoj të gjitha departamentet, pasi së bashku po bëjmë një punë mjaft të mirë. Shpresojmë që këta djem të vazhdojnë kështu, të shfaqin të njëjtën uri për të marrë sa më shumë dije dhe informacione për botën e futbollit dhe përgatitjen atletike. Uroj që të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në vazhdimësi”, – thekson ndër të tjera trajneri i përgatitjes atletike të Kombëtares.