Kursi i përgatitësit atletik, Simone Inzaghi ka një mesazh për FSHF - FSHF

Kursi i përgatitësit atletik, Simone Inzaghi ka një mesazh për FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë në fillim të muajit dhjetor kursin e përgatitësit atletik. Drejtuesi i këtij kursi do të jetë përgatitësi atletik i kombëtares shqiptare të futbollit, Luigi Febbrari. Një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të interesuarit për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore dhe lektorë me emër.

Përmes video-mesazheve këtë iniciativë të Federatës e kanë përshëndetur dhe vlerësuar shumë emra të njohur të trajningut italian. Ndër to edhe trajneri i Lazios, Simone Inzaghi, ka ndarë disa këshilla me të gjithë të interesuarit për të ndjekur këtë kurs dhe për t’u marrë me këtë profesion, që është mjaft i kërkuar në futbollin modern. Tekniku i njohur ka shpjeguar posaçërisht për FSHF.org rëndësinë e rolit të përgatitësi atletik për një skuadër futbolli dhe eksperiencën e tij me përgatitësit atletikë.

“Mirëdita të gjithëve! Doja t’ju tregoja se sa i rëndësishëm është sot roli i përgatitësit atletik për një skuadër futbolli. Unë kam fatin të kem në krah prof. Fabio Ripert, i cili punon me mua prej shumë vitesh, duke filluar që nga sektori i të rinjve. Sigurisht ai mbështetet edhe nga profesionistë të tjerë të shkëlqyer që kemi këtu në staf, secili prej tyre zotëron mirë çdo aspekt specifik të sportistëve. Kini parasysh, se çdo trajner ka shumë nevojë për përgatitësit atletik, të cilët menaxhojnë të gjitha gjërat që një trajner nuk mund t’i bëjë i vetëm. Për këtë arsye është shumë i rëndësishëm në futboll roli i përgatitësit atletik. Shfrytëzoj rastin të përshëndes të gjithë përgatitësit atletikë shqiptarë dhe mos e humbni rastin të ndiqni këtë kurs, që është shumë i rëndësishëm. Mirupafshim!”, – thotë Inzaghi në mesazhin e tij për FSHF-në.
Kujtojmë se sipas rregullores së re të miratuar nga FSHF, në çdo skuadër futbolli do të ketë një përgatitës atletik në stafin e një skuadre, por edhe në stolin e saj teknik.
Për të gjithë personat e interesuar të cilët duan të regjistrohen në këtë kurs, format e komunikimit janë si më poshtë:
E-mail: drejtoria.teknike@fshf.al
Nr. tel: +355 68 404 0033