Kursi i përgatitësit atletik, ja çfarë thotë Carlo Ancelotti për FSHF - FSHF

Kursi i përgatitësit atletik, ja çfarë thotë Carlo Ancelotti për FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë në fillim të muajit dhjetor kursin e përgatitësit atletik. Drejtuesi i këtij kursi do të jetë përgatitësi atletik i kombëtares shqiptare të futbollit, Luigi Febbrari. Një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të interesuarit për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore dhe lektorë me emër.

Përmes video-mesazheve këtë iniciativë të Federatës e kanë përshëndetur dhe vlerësuar shumë emra të njohur të trajningut italian. I radhës që ka përshëndetur posaçërisht nismën e FSHF-së është trajneri i njohur italian, Carlo Ancelotti, i cili aktualisht drejton klubin e Premier Ligës angleze, Everton, e që në karrierën e tij ka punuar me klube të mëdhenj si Juventus, Milan, Çelsi, PSG, Real Madrid, Bajern Mynih apo edhe Napoli.

Ancelotti ka ndarë këshillat e tij me të interesuarit për të ndjekur këtë kurs dhe për t’u marrë me këtë profesion, që është mjaft i kërkuar në futbollin modern. Tekniku i njohur ka shpjeguar posaçërisht për FSHF.org rëndësinë e rolit të përgatitësi atletik për një skuadër futbolli dhe eksperiencën e tij me përgatitësit atletikë.
“Përshëndetje të gjithëve! Jam Carlo Ancelotti dhe jam këtu për t’ju folur për rolin e përgatitësit atletik. Një figurë që tashmë në futbollin modern është bërë e domosdoshme. Përgatitësi atletik natyrisht duhet të përpiqet që të jetë në sintoni të plotë me filozofinë dhe metodologjinë e trajnerit. Shpresoj që përmes këtij kursi Shqipëria të mund të përgatisë sa më shumë përgatitës atletik, një rol tejet i rëndësishëm në futbollin modern”, – thotë Ancelotti në mesazhin e tij për FSHF-në.
Kujtojmë se sipas rregullores së re të miratuar nga FSHF, në çdo skuadër futbolli do të ketë një përgatitës atletik në stafin e një skuadre, por edhe në stolin e saj teknik.
Për të gjithë personat e interesuar të cilët duan të regjistrohen në këtë kurs, format e komunikimit janë si më poshtë:
E-mail: drejtoria.teknike@fshf.al
Nr. tel: +355 68 404 0033