Kupa e Botës 2026/ Shqipëria barazon 1-1 me Letoninë në “Skonto Stadions” - FSHF

Kupa e Botës 2026/ Shqipëria barazon 1-1 me Letoninë në “Skonto Stadions”

Kombëtarja shqiptare barazoi 1-1 me Letoninë në “Skonto Stadions”, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

Trajneri Silvinjo e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Strakosha (GK), Balliu, Ismajli, Kumbulla, Mitaj, Laçi, Asllani, Shehu, Hoxha, Manaj (C), Broja.

Ndeshja nisi e qetë, me Shqipërinë më kërkuese në sulm. Vendasit fituan një penallti në minutën e 21-të, por Thomas Strakosha bëri një pritje spektakolare dhe e mbajti portën të paprekur.

Shqipëria kaloi në avantazh në minutën e 29-të, pas një autogoli nga Cernomordijs. Hoxha harkoi saktë nga e majta, ndërsa presioni i Manajt dhe një mosmarrëveshje me portierin detyruan mbrojtësin letonez të dërgonte topin në rrjetë.

Në fundin e pjesës së parë, Letonia barazoi rezultatin me Cernomordijs, dhe pjesa e parë u mbyll 1-1.

Fraksioni i dytë nisi më mirë për Shqipërinë, që iu afrua golit me Asllanin dhe Manajn.

Në minutën e 60-të, trajneri Silvinjo bëri zëvendësimin e parë. Arbër Hoxha u largua nga loja dhe në fushë u aktivizua Ernest Muçi.

Më pas, u aktivizuan edhe Nedim Bajrami, Mirlind Daku dhe Myrto Uzuni. Kuqezinjtë tentuan deri në fund të shënonin golin e dytë, por pa sukses. Ndeshja u mbyll në barazim 1-1.

Pas përfundimit të ndeshjes së katërt në Grupin K, Shqipëria renditet në vendin e dytë me 5 pikë.


Duke kontrolluar karten...