Kryqi i Kuq Shqiptar, falenderon FSHF - FSHF

Kryqi i Kuq Shqiptar, falenderon FSHF

Kryqi i Kuq Shqiptar, ka kënaqësinë të falenderojë Federatën Shqiptare të Futbollit, ekipin kombëtar dhe Presidentin Armand Duka, për mbështetjen dhe ndihmën që na dhanë në promovimin e Ditës Botorore të Dhuruesve të Gjakut. Falë bashkëpunimit me stafin e FSHF, në ndeshjen Shqipëri-Francë zhvilluar më 13 qershor në stadiumin “Elbasan Arena”, u zhvillua një ceremoni kuptimplote e cila kishte si qëllim që të sensibilizonte sa më shumë qytetarë për të dhuruar gjak, për njerëzit që kanë nevojë.
Fushata e sivjetme, e cila përcillte mesazhin: “Dhuro gjak, dhuro shpesh, dhuro falas”, ka patur si kulmin e saj pikërisht ndeshjen e kombëtares shqiptare, ku ceremonia e zhvilluar dhe pasqyruar në media ka patur një jehonë të gjerë. Një ditë përpara zhvillimit të ndeshjes, edhe trajneri Xhani De Biazi në konferencën e tij për shtyp, ka bërë thirrje për të dhuruar gjak dhe për të qenë sa më të sensibilizuar në lidhje me dhurimin e gjakut.
Ne shpresojmë, që edhe në të ardhmen, ky bashkëpunim mes dy institucioneve tona, të jetë në nivelin më të lartë, për të sensibilizuar sa më shumë qytetarë, që të dhurojnë gjak për një qëllim mjaft fisnik: Për të shpëtuar jetë! Përfundon falenderimi i Kryqit të Kuq Shqiptar, firmosur nga presidenti magj. Ylli Alushi.


Duke kontrolluar karten...