Kosova është anëtarja më e re e FIFA-s! Lajmi i shumëpritur ka ardhur gjatë pasdites së sotme, pas votimit në Kongresin e 66-të të FIFA-s që po zhvillohet në Mexico City.
Pro anëtarësimit të Kosovës kanë votuar 141 delegatë të pranishëm ose 86% të votave, ndërsa 23 prej tyre kanë votuar kundër.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili është i pranishëm në punimet e Kongresit, ka shprehur gëzimin e tij dhe ka uruar Kosovën për këtë arritje historike nëpërmjet një statusi të postuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” ku shkruan: “Kosova anëtarësohet në FIFA! Urime Kosova, urime FFK, urime Fadil Vokrri!”.
Së bashku me Presidentin Duka në Kongresin e FIFA-s kanë qenë të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe Anëtari i Komitetit ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj si pjesë delegacionit shqiptar.
Ky ishte suksesi i radhës për Kosovën që pak ditë më parë u pranua edhe si anëtare e re e UEFA-s.

















